Marko Bello: Nano, staturë Presidenti, pak shanse për konsensus
TIRANE - Deputeti socialist i qarkut të Beratit, Marko Bello e ka quajtur “të kuptueshëm” reagimin e socialistëve të Beratit, ndaj largimit të Erjon Braçes, si i deleguar në Korçë. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Bello flet edhe për punën që ai do të bëjë në krye të grupit të punës për shërbimin diplomatik. Sipas Bellos, “PS do t’i kthejë dinjitetin Ministrisë së jashtme”. I pyetur në lidhje me zgjedhjen e Presidentit të ri, nëse do të ishte Fatos Nano një kandidat konsensual, Bello shprehet se këtë “nuk mund ta thotë dot”, por ai sqaron se ai mund ta votojë Nanon, por do të respektojë vendimin e forumeve të Partisë Socialiste, si deputet i saj.
Z.Bello, këto ditë ka pasur disa reagime nga anëtarë të PS në Berat për largimin e deputetit Erjon Braçe në Korçë, si i deleguar. Si e vlerësoni këtë situatë?
Ka qenë një reagim i kuptueshëm i strukturave të PS në rrethin e Beratit, të cilat janë të mendimit se veprimtaria politike e deputetit dhe anëtarit të kryesisë së PS në Berat, Erjon Braçe ka qenë shumë e mirë dhe për pasojë i kanë kërkuar përmes një letre Kryesisë dhe vetë kryetarit, z.Rama që ta rishikojnë delegimin e z.Braçe në Korçë. Pra, më shumë sesa nostalgji, ky reagim shpreh konsideratë dhe mbështet aktivitetin politik të z.Braçe. Ndërkohë që është mbajtur një mbledhje e Asamblesë së zgjeruar të rrethit Berat, ku kanë marrë pjesë Sekretari Organizativ, Blendi Klosi, Sekretari për Burimet Njerëzore, Armando Subashi dhe z.Namik, si i deleguari i Kryesisë së PS. Mbledhja ka kaluar mirë dhe konkluzioni ka qenë se PS në Berat ka pasur rezultate pozitive, se socialistët e Beratit janë tërësisht të angazhuar të realizojnë detyrat që u ka caktuar Kongresi dhe Asambleja Kombëtare, në mbledhjen e saj të 22 janarit të këtij viti. Tani, nëse z.Braçe do të shkojë në Korçë si i deleguar i Kryesisë, apo do të qëndrojë vetëm në Berat si deputet, këtë do të duhet ta zgjidhin vetë z.Braçe me forumin që e ka ngarkuar atë me detyrën e re.
Në të gjitha degët e PS ka nisur një proces riorganizimi, ndërkohë që kanë mbetur pothuaj 1/3 e degëve pa kryetarë. Duket se janë shumë për një parti që mendon të marrë pushtetin në zgjedhjet e afërta. A duhet të ketë një lloj përgjegjësie, siç ka deklaruar edhe kolegu juaj Erjon Braçe, se “përgjegjës është sekretari organizativ”?
Pavarësisht nga ky fakt, PS mbetet partia më e organizuar dhe më e fortë në rang vendi. Këtë e kanë treguar zgjedhjet e përgjithshme dhe ato për pushtetin vendor, ku ne kemi dalë forca e parë politike në vend. Diferenca midis PS dhe PD ka ardhur duke u thelluar, çka tregon se Partia Socialiste po rritet dhe po fiton gjithnjë e më tepër mbështetjen e elektoratit. Nëse ne jemi ende në opozitë, kjo, veç të tjerash ka qenë rezultat i aleancave të pamjaftueshme dhe paqartësisë së ofertës politike. Kongresi i 5 Nëntorit hodhi piketat për realizimin e një programi politik dhe qeverisës, përcaktoi prioritet kryesore dhe mbi të gjitha i paraqiti shqiptarëve një ofertë konkrete që i garanton një tjetër ritëm zhvillimi vendit, shëron plagët që ka hapur kjo qeveri dhe ngushton polarizimin e frikshëm që koalicioni qeverisës ka krijuar. Është një program i majtë, konkret dhe plotësisht i realizueshëm. Programi, ekipi dhe organizimi më i plotë nga baza drejt qendrës do të krijojnë frymën e duhur për ta sjellë të majtën në pushtet, jo thjesht si qëllim më vetë, por për ta qeverisur ndryshe Shqipërinë, ashtu siç e kërkon shumica e shqiptarëve dhe interesat e tyre për një jetë më të mirë dhe për më shumë dinjitet.
Ju jeni emëruar të drejtoni një nga 21 grupet e punës së Asamblesë, atë për shërbimin diplomatik. Ku do të synojë puna juaj dhe çfarë propozimesh keni deri tani?
Duke folur për programin, mund të shtoj se puna për ta finalizuar atë sa më parë ka filluar. Kam vlerësuar së tepërmi faktin se një nga 21 grupet e punës, atë për Shërbimin Diplomatik më është ngarkuar mua ta drejtoj. Grupi përbëhet nga anëtarë të Asamblesë Kombëtare që kanë punuar në këtë sektor, ose që janë angazhuar në përpunimin dhe implementim e një politike të jashtme tërësisht në interes të vendit dhe jo të një grushti pushtetarësh. Një tjetër prurje e grupit janë diplomatë dhe ekspertë të fushës së diplomacisë si edhe të rinj dhe të reja që kanë përfunduar studime të plota në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, diplomacisë, të drejtës ndërkombëtare dhe degë të tjera, njerëz që duan të ofrojnë kontributin e tyre në këtë drejtim dhe që shpresojnë tek alternative e opozitës. Aktualisht, vërejmë me shqetësim se MPJ nuk po e kryen si duhet misionin e saj kryesor, atë të realizimit të interesave kombëtare në planin ndërkombëtar. Në programin e saj, Partia Socialiste premton se do ta konsolidojë shërbimin e jashtëm mbi bazën e meritokracisë dhe profesionalizmit, duke kombinuar diplomatët e karrierës me prurjet e reja, nëpërmjet rekrutimit të të rinjve me studime të plota dhe të thelluara nga fusha e marrëdhënieve ndërkombëtare, por jo vetëm. Njerëz që ta duan vendin dhe profesionin e tyre, me profil dhe mentalitet evropian, zotërues të gjuhëve të huaja dhe me kulturë të gjerë. PS është e përcaktuar t’i kthejë dinjitetin Ministrisë së Jashtme, duke e konsoliduar si institucion të shtetit dhe jo vegël të pushtetit; të luftojë nepotizmin dhe largojë nga shërbimi ata që janë emëruar për shkak të lidhjeve farefisnore me pushtetin, duke ia hequr MPJ nofkën e çerdhes së ngrohtë për fëmijët, miqtë dhe farefisin e oborrit të pushtetit;
PS do të rishikojë ligjin mbi shërbimin e jashtëm, për të garantuar më tej karrierën dhe statusin e diplomateve dhe nëpunësve të tjerë civilë. Ajo do ta riorganizojë strukturën e MPJ për ta bërë atë sa më elastike dhe të zhdërvjellët, me synimin për t’iu përgjigjur sfidave të kohës si dhe do të rikonfigurojë përfaqësitë diplomatike në botë, duke konsoliduar në numër dhe cilësi, sidomos përfaqësitë dhe misionet diplomatike në Bruksel, Uashington, Berlin, Paris, Romë, Athinë, duke reduktuar numrin e përfaqësive dhe personelin në zona periferike dhe me interes të kufizuar. Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet ngritjes së cilësisë së veprimtarisë dhe shërbimit konsullor, me qëllim për t’iu ardhur në ndihmë shqiptarëve me banim jashtë vendit.
Në ristrukturimin e fundit u hoq posti i sekretarit ndërkombëtar. A ishte e nevojshme të bëhej kjo reformë, në një kohë që PS i kushton shumë rëndësi marrëdhënieve me jashtë?
Pavarësisht nga përshtypja që mund të jetë krijuar, Partia Socialiste i ka dhënë rëndësinë e duhur marrëdhënieve me jashtë. Ne jemi ende në një fazë riorganizimi, por vëmendja në këtë drejtim nuk ka munguar. Si partia më e madhe në vend, PS ka burime të mjaftueshme njerëzore që kanë kontribuar dhe do të vijojnë të kontribuojnë në përmirësimin e cilësisë së marrëdhënieve me jashtë. Anëtarët e Komisionit parlamentar për Punët e Jashtme, ata të Komisionit të Integrimit dhe të Sigurisë, sekretariati për marrëdhënie me emigracionin, këshilli politik, këshilltarë diplomatikë dhe njerëz me eksperiencë pranë PS, kabineti i Kryetarit si dhe shumë miq e dashamirës të forcës sonë politike brenda dhe jashtë vendit konvergojnë energjitë e tyre në drejtim të forcimit të marrëdhënieve të PS me parti të tjera të majta, IS dhe Partitë Socialiste dhe Socialdemokrate në Europë e më gjerë, me trupin diplomatik në Tiranë dhe vende partnere dhe mike.
Jemi pak muaj para zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Ndërkohë që kryeministri Berisha ka deklaruar hapur se kandidati do të jetë një nga drejtuesit e PD-së, Partia Socialiste insiston tek një kandidaturë konsensuale. A mendoni se duhet që edhe PS të dalë me një kandidat të saj?
E kam dëgjuar kryeministrin të shprehet me nervozizëm se presidenti do të zgjidhet sipas Kushtetutës (a thua se ne kërkojmë që ai të zgjidhet jashtë kornizës kushtetuese dhe ligjore), çka për atë dhe përfaqësues të mazhorancës nënkupton zgjedhjen me shumicë absolute, pra me 71 vota. Që në start, kryeministri përjashton vetë ai Kushtetutën, e cila inkurajon në 3 raundet e para zgjedhjen me konsensus të kreut të shtetit. Por, pas nervozizmit dhe nxitimit të Berishës fshihet pafuqia e tij për të imponuar me çdo kusht një president nga radhët e mazhorancës. Jemi ende shpejt të kuptojmë se si do të zhvillohen ngjarjet, por shenjat janë se do të shkohet drejt një presidenti konsensual, një figurë që të pranohet nga të gjitha palët, ose nga një shumicë e cilësuar deputetësh.
Pas gati 7 vitesh largimi nga PS a mundet që Fatos Nano të jetë tashmë një kandidat për President? A do t’ja jepnit ju votën tuaj në Parlament, nëse ai do të ishte një prej kandidatëve?
Unë nuk mund të përfytyroj që tani se cili do të ishte Presidenti i ardhshëm. Sa i takon z.Nano, nuk mund të them dot gjithashtu nëse mund të jetë ose jo konsensual. Berisha është shprehur kundër propozimit dhe mbështetjes së tij nga ana e maxhorancës, çka redukton së tepërmi mundësinë që z.Nano të pranohet si kandidaturë konsensuale. Por, në politikë asgjë nuk është e pamundur. Të mos nxitohemi. Sa për votën time, ajo nuk është thjesht vota ime, por e socialistëve. Unë me shumë dëshirë do ta kisha votuar z.Nano, pasi ai e ka staturën për President, por vendimin do të duhet ta marrin forumet drejtuese të forcës politike ku bëj pjesë dhe unë do të respektoj çdo vendimmarrje të saj.
(GSH/BalkanWeb)