E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhafaj: Ligj organik për Kuvendin para Presidentit

DEPUTETI I PS-Fatmir Xhafaj PS i cilëson sulme politike akuzat e PD ndaj Presidentit të Republikës.

Sekretari për çështjet Ligjore në PS, Fatmir Xhafaj, u shpreh për mediat se akuzat e maxhorancës ndaj Presidentit të Republikës për Gjykatën Kushtetuese janë formë presioni me prapavijë të qartë politike, me qëllim intimidimin e kreut të shtetit përballë iniciativave të shumicës. "Kjo përkon me reagimin e Presidentit ndaj ligjit të SHISH-it dhe faktit që ai la të kuptohej që edhe nëse do të miratohej, ai do ta kthente pas këtë ligj; lidhet me faktin se janë kthyer disa kandidatura dhe nuk janë pak, por vetëm 4 janë në Gjykatën Kushtetuese për t'u risjellë në Parlament, pra është edhe një lloj paralajmërimi për ta. Natyrisht janë edhe problemet e brendshme që ka Partia Demokratike", u shpreh deputeti Xhafaj. Për sa i përket debatit tjetër të hapur për miratimin e një ligji organik për këtë institucion, selia rozë pavarësisht se është pro kësaj iniciative dhe iniciuese e saj, shikon një prapavijë të qartë të maxhorancës, që sipas zotit Xhafaj ka një synim tjetër. Deputeti socialist thekson se propozimi i parë për një ligj të tillë ka ardhur nga selia rozë tre vjet më parë, por nuk u përkrah nga maxhoranca, e cila në atë kohë, sipas tij, e konsideronte Presidentin e Republikës si njeriun e saj. "Para se zotërinjtë e PD të flasin për një ligj organik për Presidentin, i cili në parim nuk ka pse të kontestohet, duhet të kthejnë mbrapsht atë që kanë bërë në Rregulloren e Kuvendit, duhet të propozojnë një ligj organik jo vetëm për Presidentin, por edhe për Kuvendin, dhe ta shohin këtë si një pjesë tërësore kushtetuese, që lidhet me forcimin e fuqizimin e pavarësisë të institucioneve kushtetuese në respekt të ligjit dhe në funksion për të thelluar reformën në drejtësi, e cila vazhdon të mbetet një retorike boshe", tha zoti Xhafaj. Veç krizës politike, që ka më shumë se 1 vit që ka bllokuar çdo marrëveshje mes shumicës dhe opozitës, në shtator duket se përplasja do të ashpërsohet më tej edhe në këto dy pika të tjera. Nga ana tjetër Sekretari për çështjet Ligjore në Partinë Socialiste, Fatmir Xhafaj, nuk sheh asnjë pengesë aktuale në funksionimin e Gjykatës Kushtetuese. "çfarë është kryetari i Gjykatës Kushtetuese? është një figurë administrative në drejtim e kësaj gjykate dhe siç ndodh në çdo organ administrativ, ai nuk mund të largohet pa ardhur zëvendësuesi, pra ka vazhdimësi në veprimin administrativ të Gjykatës Kushtetuese. Ajo që duhet të shqetësonte maxhorancën duhet të ishte vakumi problematik që ka lidhur me emërimet në Gjykatën Kushtetuese dhe në Gjykatën e Lartë. Kjo nuk bëhet me qëllimin për ta shëndoshur punën e Gjykatës Kushtetuese, por thjesht për të goditur në këtë moment Presidentin e Republikës", tha më tej Xhafaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›