Maroni-Basha: S’ka asnjë pikëpyetje, Shqiptarët, pa viza në “Schengen” brenda 2010-s
Ministri i Brendshëm Lulzim Basha zhvilloi dje një takim pune me homologun e tij italian, Roberto Maroni
“Shpreh bindjen se qytetarët shqiptarë do të lëvizin pa viza në hapësirën “Schengen” brenda këtij viti”. Deklarata u bë nga ministri i Brendshëm i Italisë Roberto Maroni gjatë një takimi me ministrin e Brendshëm shqiptar Lulzim Basha.
Maroni duke vlerësuar hapat e mëdhenj të Shqipërisë në përmbushje të kritereve për liberalizimin e vizave ka rikonfirmuar mbështetjen e plotë të tij dhe të qeverisë italiane për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë brenda këtij viti.
Ministri i Brendshëm Basha falënderoi Ministrin Maroni, që së bashku me ministrat e Brendshëm dhe të Drejtësisë të vendeve anëtare të BE, morën në shqyrtim pa asnjë vonesë dhe mbështetën fuqimisht propozimin e Komisionit Europian për liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë.
Gjatë takimit ministri Basha informoi homologun italian Maroni për një sërë masash që janë marrë dhe po ndërmerren nga qeveria shqiptare në kuadër të proceseve integruese në BE.
Ministri Basha informoi Ministrin Maroni se qeveria shqiptare ka miratuar strategjinë për riintegrimin e të riatdhesuarve si dhe ngritjen e ngritjen dhe funksionimin e njësisë për gjurmimin dhe sekuestrimin e aseteve kriminale, e po kështu e njohu me rezultatet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, mbi luftën për parandalimin e kultivimit të kanabisit si dhe për funksionimin me sukses të Qendrës Ndërinstitucionale Operacionale Detare.
Ministri i Brendshëm Maroni u shpreh në takim se bashkëpunimi mes policive të të dy vendeve është tashmë në një nivel të shkëlqyer dhe se falë këtij bashkëpunimi nuk ka asnjë çështje problematike mes Italisë dhe Shqipërisë. Maroni premtoi në bisedën e tij me Bashën se Ministria e Brendshme e Italisë do të japë ndihmesën e saj për trajnimin dhe shkëmbimin e përvojës për personelin policor shqiptar që angazhohet për gjurmimin dhe konfiskimin e aseteve kriminale.
Ministri i Brendshëm Basha dhe homologu i tij, Maroni, ranë gjithashtu dakord në takim për të nënshkruar së afërmi një marrëveshje për mbrojtjen e dëshmitarëve.