Edi Rama, miliona euro për të bllokuar heqjen e vizave
Dje, Edvini është përpjekur për të rilëvizur aleancat e vjetra antishqiptare, të krijuara nga miliona euro të hedhura për të bllokuar heqjen e vizave. Ai ka përsëritur për herë të dytë se ka firmosur një draft-marrëveshje, e cila s’ekziston, ndërkohë që shpikjen e ka trafikuar si realitet virtual edhe tek mediat që paguan. Autoritetet e Brukselit përsërisin se s’ka asnjë lidhje mes ngërçit politik dhe heqjes së vizave, por Edi Rama s’heq dorë, edhe pse aleatët në Parlamentin Evropian i ka gjithmonë e më të pakët e gjithmonë e më periferikë
Skenarët e Edi Ramës për të mbajtur peng sa të mundet Shqipërinë, që ajo të mos ecë përpara në aspiratën e saj për kthimin në familjen perëndimore, atje ku edhe e ka vendin, dje mbërritën në një nivel të pastër paranoje. Me sa duket, shqetësimi që miliona eurot e hedhura për të bllokuar vendimin për heqjen e vizave po shkojnë dëm, ka detyruar Edvinin që të rikthejë skemën e keqpërdorimit të strukturave të Parlamentit Evropian, si strukturat më poroze, të cilat pranojnë ndikimin e lobingjeve, edhe kur është fjala për të dëmtuar interesat e një vendi aspirant për t’u anëtarësuar në BE. Dje pasdite, personalisht, Edi Rama u lidh me disa shefa redaksish, pronarët e të cilëve i darovit me leje ndërtimi apo me interesa të tjera specifike, për t’u thënë se tashmë kishte në tryezë një draft për marrëveshje të paraqitur nga Komiteti për Ballkanin Perëndimor në Parlamentin Evropian, se ai me telefon tashmë kishte konfirmuar dakordësinë e tij dhe se topi tani ishte në anën e mazhorancës. Pilotimi i kësaj ideje kishte lindur më herët, kur një europarlamentar rumun, i shfaqur edhe më herët ndër partizanët në mbrojtjen e tezave të Edi Ramës tha në një kanal televiziv shumë pranë Edi Ramës se nëse drafti nuk do të firmosej nga të dy liderët politikë në Shqipëri, atëherë do të shpallej i “ngrirë” procesi i liberalizimit të vizave.
Deklarata krejt e pilotuar është pjesë e strategjisë që ka ngritur Edi Rama për të mbetur në politikë nëpërmjet politikës së shantazhit, nëpërmjet pagesave të shumta në miliona euro, mjaft që projekti i vizave të ngrijë edhe për ca kohë, mundësisht derisa të vijë koha për një mandat tjetër zgjedhor në krye të bashkisë së kryeqytetit. Komisionerit Stefan Fyle i është dashur dje të rideklarojë për të disatën herë se procesi i heqjes së vizave është një proces krejtësisht teknik e s’varet nga zhvillimet politike, ndërkohë që edhe më i drejtpërdrejtë ka qenë ministri i brendshëm italian Roberto Maroni, gjatë takimit me homologun Lulzim Basha, teksa u ka rikonfirmuar shqiptarëve se ata do të lëvizin pa viza në hapësirën Shengen, brenda këtij viti.
Miliona eurot e paguara për të bllokuar aspiratën e shqiptarëve dje kanë marrë kuptimin e një lidhjeje të stërmundimshme e të pathemeltë mes situatës politike në vend, të çuar në ngërç në mënyrë krejt artificiale nga ana e ish-komunistëve, dhe ratifikimit formal të një rezolute për heqjen e vizave.
E vërteta është se përveç apeleve për dialog e për normalizimin e jetës parlamentare, kurrfarë detajimi s’ndodhet në tryezat e politikanëve. Përsëritja e precedentit me ambasadorin Bosh, tregon mjerimin e Edi Ramës, i cili, megjithëse ka hedhur miliona për të na destabilizuar, s’po ia arrin qëllimit dhe po u kthehet të njëjtëve njerëz e të njëjtave skema të vjetra. çuditërisht, rishfaqja e rumunit Boshtinaru dje në krah të Edi Ramës konfirmon izolimin total të Edi Ramës, që me riprodhimin e realitetit virtual në mediat e veta, veç tregon frikën dhe mjerimin që ekziston në Rajhun që ai ka ngritur me Dashin dhe ylberistët e tjerë në Kullën e Myslim Pezës.