E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maroni: Shqipëria, larg liberalizimit të vizave

Ministri i Brendshëm italian, Roberto Maroni, deklaroi se Shqipëria dhe Bosnja kanë ende hapa për të bërë drejt liberalizimit të vizave. Ai tha se Italia është e gatshme të ndihmojë vendin tonë në mënyrë që standardet të arrihen deri më 1 janar 2010.

Deklarata e ministrit italian u bë gjatë Konferencës së 9 - të ministrave mbi emigracionin e paligjshëm, krimin e organizuar, terrorizmin dhe korrupsionin, të zhvilluar në Brdo te Sllovenisë. Përpos ilustrimit të punës së bërë për të frenuar mbërritjen e emigranteve nga Libia, ai përmendi edhe çështjen e vizave për shtetasit e rajonit ballkanik.

Sipas tij, procesi i liberalizimit të vizave, i filluar përpara gjashtë vjetësh, është një nga mjetet e luftës kundër hyrjes së emigranteve të paligjshëm nga vendet ballkanike. Ministri Maroni tha se tani për tani Maqedonia është në rregull me standardet evropiane. Mali i Zi dhe Serbia janë pranë arritjes së këtyre standardeve, por Shqipëria dhe Bosnja kane akoma shumë hapa për të bërë.

Ai shtoi se Italia është e gatshme të ndihmojë Shqipërinë në mënyrë që nga 1 janari i vitit 2010 ajo të përshtatet me normat që duhen për liberalizimin e vizave.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›