E Diel, 1 Nëntor 2026

Marrëdhënia e prishur

Skënder Minxhozi 

Nëse do të gjykohej nga ajo çfarë është shkruar e thënë javët e fundit në Tiranë, në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane nuk ka ndodhur asnjë tronditje apo zhvendosje sado e vogël, me rastin e kalimit të stafetës nga ish-presidenti Bush tek pasardhësi i tij afro-amerikan Obama. Vetëm se askush s’mund ta mohojë atë që sheh dhe dëgjon. Nga njëra anë, shumica në qeveri u përmbajt jo pa mund që të rreshtohej hapur pro kandidatit republikan Mekejn, e kjo duket se ndodhi më së shumti për shkak të sondazheve që tregonin rregullisht ...dominimin e Barak Obamës. Nga ana tjetër, opozitarët e majtë e bënë shumë shpejt kauzë të tyren “të adoptuar” fenomenin Barak Obama, aq sa pas fitores së tij nuk ishte e vështirë të dallohej një kënaqësi e lexueshme në deklarimet e këtij krahu politik.
Po çfarë ka ndryshuar dhe çfarë ka mbetur e njëjtë në politikën amerikane ndaj Shqipërisë (me kusht që të ketë një të tillë, në kuptimin e vërtetë të termit)? Dhe më e rëndësishmja, sa realiste është të presim ndonjë sinjal çfarëdo nga qendrat e politikës amerikane tashmë të dominuara nga demokratët, para, gjatë dhe pas zgjedhjeve të 28 qershorit?
Një përgjigje e saktë është thjesht e pamundur të jepet në këtë moment, sidomos kur prioritetet e Obamës disa vjet dritë larg temës në fjalë. Kryetarja e Kuvendit ka deklaruar në media se ka qenë e lumtur që është ndodhur 30 metra larg podiumit ku bëri betimin si President Barak Obama. Përtej simbolikës servile të kësaj deklarate, mund të thuhet se në të njëjtën largësi imagjinare ndodhet edhe vetë Shqipëria, në raport me politikën e sotme amerikane.
Nuk është e ekzagjeruar të thuhet se vendi ynë sot është një nuancë në politikën e jashtme amerikane, ajo s’është as shtyllë kryesore dhe aq më pak prioritet i kësaj politike që sot, me ardhjen në fuqi të një stafi pragmatist personash, po bëhet më elastike dhe më e hapur ndaj botës. Pra, me një axhendë më të gjatë diplomatike sesa ajo e Bush dhe Kondoleca Rajs, të cilët e kishin ndarë botën në të mirë dhe të këqij, sipas vizionit të tyre neokonservator. Politika e re ndaj Iranit, Lindja e Mesme, energjia dhe mbi të gjitha kriza financiare, do të vazhdojnë të okupojnë bujtësit e rinj të Shtëpisë së Bardhë dhe Departamentit të Shtetit.
Pas mbarimit të luftës ballkanike dhe fitores së pavarësisë së Kosovës, Shqipëria dhe shqiptarët kanë vetëm një peshë simbolike në politikën dhe vëmendjen amerikane, e kjo s’mund të thuhet se është një lajm i mirë për ne që jemi mësuar rregullisht që të na “arbitrojë” dikush, sa herë që gatuajmë probleme dhe kriza që krijojnë tension pas tensioni.
Kjo është një rrethanë jo pa peshë në zgjedhjet e ardhshme të qershorit, për më tepër që po duket qartë dita-ditës, që Berisha ka dalë në një pjesë të konsiderueshme nga sfera e influencës amerikane. Përkundër zhargonin të tij të ngrohtë dhe miqësor ndaj Uashingtonit, kryeministri është ndeshur të paktën tre herë me ambasadorin amerikan Uithers, për çështje që kanë pasur të bëjnë me Gjykatën e Lartë, Prokurorinë dhe ligjin për Lustracionin. Berisha dhe Uithers janë sot një dyshe që nuk komunikojnë dhe nuk kuptohen normalisht mes tyre, e kjo ka në mënyrë të kuptueshme një listë pasojash mbi vetë marrëdhëniet dypalëshe. Herën e fundit, kur kryeministri i sotëm u soll kështu me amerikanët, ne vuajtëm krizën e vitit 1997. Natyrisht që uji nuk kalon kurrë dy herë nën të njëjtën urë, porse kjo ftohje me SHBA (dhe jo me ambasadorin e SHBA, siç u përpoq ta paraqesë Ministri i Jashtëm Basha disa muaj më parë pranë zëvendësit të Rajs), është njëri ndër elementet e jashtëm shqetësues që i shtohet fushatës tonë zgjedhore të kësaj vere. E kur kjo marrëdhënie traumatike nisi të maiset që në kohën e një administrate të djathtë republikane, mund të imagjinohet se çfarë mund të ndodhë në kushtet kur në krye të diplomacisë së SHBA është një person me mbiemrin Klinton. Që për zotin Berisha ngjall përherë kujtime jo fort të këndshme. Megjithatë, ne kemi për të mbajtur një palë zgjedhje dhe po rrezikojmë t’i mbajmë kur i kemi prishur urat me njërin prej “arbitrave” kryesorë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›