E Shtunë, 31 Tetor 2026

Peticion Konferencës Islamike: Njihni Pavarësinë e Kosovës

 

zirina llambro

“Vendet e Konferencës Islamike, të njohin Pavarësinë e Kosovës”! Kjo ka qenë kërkesa e dalë dje në formë peticioni nga besimtarët myslimanë shqiptarë. Peticioni është iniciuar dje nga Xhamia e Rrugës së Kavajës, e njohur si xhamia “Dine Hoxha” dhe, sipas organizatorëve, pritet të shtrihet shumë shpejt në të gjithë vendin. “Si përfaqësues i një shqetësimi të përbashkët të besimtarëve për një çështje kaq të ndjeshme për mbarë popullin shqiptar, u shtymë drejt një peticioni ndaj vendeve të Organizatës së Kombeve Islamike, O.K.I, për të njohur sa më parë Pavarësinë e Kosovës”, tha dje imami i kësaj xhamie, Ahmet Kalaja. Sipas tij, pas vitit ’90 shqiptarët kanë pasur dy ngjarje të mëdha: rënien e diktaturës dhe Pavarësinë e Kosovës. “Në vlerësimin tim dhe të shumë besimtarëve, vazhdon të shihet si i papranueshëm hezitimi dhe qëndrimi e derisotëm politik i shteteve myslimane, anëtare të O.K.I-it, për njohjen e Pavarësisë së Kosovës, qëndrim që nuk ka asgjë të përbashkët me besimin islam”, tha dje imami Kalaja.
Ndërkaq, përfaqësues të tjerë të kësaj xhamie, e kanë konsideruar si të pashpjegueshme vonesën e njohjes së Pavarësisë së Kosovës nga shumë vende të OKI-it. “Ne i jemi mirënjohës popujve dhe qeverive të shteteve islame, për ndihëm e pakursyer gjatë eksodit tragjik të popullit martir të Kosovës në vitin 1999, në ditët e vështira të luftës. Por, vlerësojmë si të pashpjegueshme mosnjohjen e derisotme të Pavarësisë së shpallur një vit më parë. Prandaj vendosëm t’u drejtohemi shteteve dhe popujve myslimanë, si besimtarë të një besimi, i cili është i ngritur mbi parimet universale të paqes, lirisë, mirëkuptimit, tolerancës dhe respektimin e kulturave të popujve, që janë një pasuri e çmuar për mbarë familjen njerëzore”, u shpreh për gazetën “Panorama” Ilir Hoxholli, anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman. Ai shtoi bindjen se kjo iniciativë do të mirëkuptohet nga këto vende. “Në kuadër të kësaj nisme kam kënaqësinë t’ju njoftoj se, lidhur me këtë iniciativë ka nisur një fushatë sensibilizuese në median e shkruar dhe atë vizive të mbarë botës arabe dhe islame dhe, për këtë dua të falënderoj të gjithë teologët, të cilët janë njëkohësisht arabisht folës. Ky peticion është i hapur për mbarë qytetarët. Në vendet kyçe të kryeqytetit tonë do të ketë vullnetarë ku mund të firmosin të gjithë pa dallim. Ashtu siç është edhe thirrja jonë: Të bashkojmë zërat tanë në këtë mision fisnik!”, u shpreh Hoxholli.
Këto thirrje të përfaqësuesve të kësaj xhamie janë pasuar me mijëra firma të menjëhershme, që janë hedhur pas faljes të së premtes. Ndërkaq, në kuadër të mbledhjes së këtyre firmave, pritet që në disa pika të kryeqytetit të shpërndahen disa vullnetarë, për të shtuar firmat për këtë peticion. “Shpreh bindjen se kjo nismë e sinqertë e besimtarëve, e cila do të mbështetet nga shumica e shqiptarëve, do të gëzojë respektin dhe seriozitetin e vendeve dhe popujve myslimanë, për të reflektuar shpejt për njohjen e shtetit të Kosovës. Shpresojmë që ky peticion t’i bëjë vendet anëtare të Konferencës Islamike të reflektojnë drejt dhe të dalin nga pozicionet e ngurta ku gjenden, dhe me humanizëm t’i bashkëngjiten kësaj çështjeje të drejtë të shqiptarëve”, tha dje Kalaja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›