Defekti, pa drita qytetet e Shqipërisë së Mesme
Disa qytete të vendit do të kenë mungesa të energjisë elektrike. Sipas Operatorit të Sistemit të Transmetimit, në linjën 220 kilovat Tiranë-Rrashbull ka ndodhur një defekt i rëndë. Për pasojë qytetet si Durrësi, Kavaja, Shijaku, Rrogozhina, Fieri dhe Lushnja mund do të kenë ndërprerje të energjisë elektrike. Pritet që defekti i evidentuar nga punonjësit e OST të riparohet së shpejti. Ndërkohë dje OST ka nënshkruar marrëveshjen për implementimin e projektit të linjës së interkonjeksionit 400 kV Shqipëri-Kosovë si dhe marrëveshja e interkonjeksionit mes OST sh.a dhe KOSTT sh.a. Marrëveshja u nënshkrua nga kreu i OST-së, Ymer Balla dhe homologu i tij kosovar, Fadil Ismaili. Projekti për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit 400 kv Shqipëri-Kosovë konsiston në ndërtimin e një linje të tensionit të lartë 400 kv, me gjatësi rreth 238 km, prej së cilës 153 km në territorin shqiptar dhe 85 km në atë të Kosovës. Projekti parashikohet të fillojë nga zbatimi brenda vitit 2009, me një afat përfundimi prej 20 muaj. Kostoja totale llogaritet në 70 milionë euro për territorin shqiptar dhe linja pritet të financohet nga banka gjermane KFW. Ndërsa, në pjesën e Kosovës, linja do të financohet nga qeveria gjermane, përmes Bankës për Zhvillim-KFW. Ndërtimi i linjës së tensionit të lartë 400 kV Shqipëri-Kosovë do të ndikojë në optimizmin e dy sistemeve, ngritjen e kapaciteteve transmetuese, si dhe ngritjen e sigurisë dhe besueshmërisë së sistemeve elektroenergjetike të Shqipërisë dhe Kosovës.