Obama nënshkruan ligjin kundër diskriminimit të gruas
Presidenti amerikan Barak Obama ka nënshkruar dje ligjin e antidiskriminimit të gruas, në një ceremoni të zhvilluar në Shtëpinë e Bardhë, duke shënuar një fitore për mbështetësit e të drejtave të grave dhe punëtorëve. Ky ligj përmbysi një vendim të Gjykatës Kushtetuese amerikane në vitin 2007, i cili e vështirësoi mjaft procesin e hedhjes në gjyq të atyre që bënin diskriminime gjinore. Ligji në fjalë ka marrë emrin e gruas që e formuloi atë për herë të parë, “Lilly Ledbetter Fair Pay Act”, dhe me këtë emër u nënshkrua edhe nga Presidenti i ri. Edhe Kongresi amerikan me shumicë demokrate e miratoi ligjin gjatë javës dhe ceremonia e nënshkrimit u ndoq edhe nga shumë liderë. Presidenti demokrat Obama, gjatë nënshkrimit të ligjit ka theksuar se “Nënshkrimi i këtij ligji sot dërgon një mesazh të qartë: se që të bëjmë të funksionojë ekonominë tonë do të thotë të ketë punë të mjaftueshme për të gjithë, se nuk ka qytetarë të klasit të dytë në vendet tona të punës”. Pagesa e barabartë mes burrave dhe grave ka qenë një çështje mjaft delikate gjatë fushatës presidenciale që u zhvillua vitin e kaluar, sidomos mes unioneve dhe votueseve femra. Diskriminimi gjinor në Amerikë është mjaft i përhapur në punë. Duke folur me shifra, në mesatare gratë paguhen rreth 23 për qind më pak se burrat dhe për më tej, gratë që janë pjesë e minoriteteve paguhen edhe më pak. Sipas Reuters, zonja e parë Michelle Obama organizoi pas nënshkrimit të këtij ligji një gosti për gratë që kanë punuar për pasazhet e këtij ligji. “Ajo e njihte padrejtësinë kur e pa dhe dëshironte të bënte diçka por të ndryshuar sepse kështu ishte e drejtë, e thjeshtë dhe e pastër”, komentoi zonja e parë, duke iu referuar Ledbetter. Zonja që përpiloi këtë ligj, Ledbetter, është një grua nga Alabama e cila zbuloi pas 19 vitesh pune në “Goodyear Tire & Rubber Co” se ajo ishte shefja më pak e paguar në fabrikën e saj, edhe pse kishte më shumë eksperiencë pune se sa meshkujt që punonin krah saj. Pas hapjes së një çështjeje kundër këtij fakti, një juri miratoi se ajo ishte viktimë e diskriminimit. Gjatë administratës Bush, Gjykata Supreme i ka kthyer pjesën më të madhe të ankesave të tilla duke deklaruar se ankesa për diskriminim duhet të përmbushet brenda 180 ditëve të shkeljes së parë, duke refuzuar kështu përmbajtjen e Mundësisë së Punësimit të Barabartë, vendim që u kthye nga ligji i nënshkruar nga Obama një ditë më parë.