E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Nuk mbajmë përgjegjësi për ujësjellësin

 

Kryebashkiaku Rama drekoi dje me një familje qytetare, e ardhur në kryeqytet nga Tepelena dhjetë vjet më parë dhe e vendosur në zonën  e “Komunës së Parisit”, në Njësinë Bashkiake nr.5. Kryefamiljari Sadat Bekteshi, përveç mikpritjes, traditë e zonës së Tepelenës nga ka ardhur, nuk ka nguruar të ngrejë edhe problemin e ujit të pijshëm, që vuan familja e tij dhe e gjitha zona e Komunës së Parisit. Kryetari i Bashkisë u shpjegoi familjarëve së ujësjellësi nuk është ende kompetencë e Bashkisë së Tiranës, ndonëse në ligj rezulton e tillë. “Nuk ka pasur investime të rëndësishme në ujësjellës. Bashkia nuk e ka në dorë kompetencën dhe nuk mundet dot as të administrojë sistemin dhe as të mbajë përgjegjësi”, u shpreh Rama. Sipas tij, zgjerimi i zonës në fjalë nuk është thjesht problem i atyre ndërtimeve që janë në administrim të Bashkisë, por të gjithë ndërtimeve lart në Kodër. Ato janë ngritur me autorizimin e komunave që japin autorizim për ndërtim dhe pastaj të gjithë qytetarët kërkojnë ujin nga kryeqyteti. “Bashkia sot e gjithë ditën nuk e ka në dorë këtë kompetencë dhe nuk mund dot as të administrojë sistemin, as të bëjë investime dhe as të mbajë përgjegjësi para qytetarëve”, tha Rama. Zona e Komunës së Parisit vuan problemin e furnizimit me ujë të pijshëm, si në verë, ashtu edhe në dimër, për shkak të mbipopullimit të kësaj zone dhe ku një pjesë mirë e pallateve janë ndërtuar me leje të dhëna nga komunat përreth dhe furnizimin me ujë e kërkojne nga Ujësjellësi i Tiranës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›