Marrëdhënie më të mira Rusi-Kinë

Rusia kërkon të rrisë nivelin e marrëdhënieve me Kinën. Kryeministri rus Vladimir Putin zgjodhi Kinën për udhëtimin e tij të parë zyrtar, pas shpalljes së planit për të udhëhequr Rusinë në dekadën e ardhshme. Kina ka kaluar tashmë Gjermaninë, dhe është partneri tregëtar më i rëndësishëm i Rusisë. Tregëtia midis dy vendeve është rritur me 55 përqind këtë vit dhe mund të trefishohet në fundin e këtij dhjetëvjeçari deri në 200 miliardë dollarë. Për këtë arsye, Kryeministri Putin vizitoi Pekinin për të forcuar marrëdhënien dypalëshe më të rëndësishme të vendit të tij. Udhëheqësi rus foli mbi mundësitë për projekte të përbashkëta në fusha me teknologji të avancuar si hapësira, mjekësia, ndërtimi i avionëve dhe bioteknologjia. Por pas udhëtimit dy ditor, marrëveshja më e rëndësishme ishte një investim kinez prej 1.5 miliardë dollarësh në një uzinë për shkrirjen e aluminit në Siberi. Frika në rritje e Rusisë është shndërrimi i saj thjesht në një burim të leverdisshëm për gaz, naftë, minerale, dru dhe lëndë të tjera të para për Kinën, ashtu siç është Kandaja për Shtetet e Bashkuara. Gjatë dekadës së parë pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, një pjesë e madhe e eksporteve ruse drejt Kinës ishin me teknologji të avancuar, kryesisht avionë ushtarakë dhe sisteme raketash. Por, gjithmonë e më tepër, Rusia po ankohet se Kina po kopjon avionët e saj ushtarakë Sukhoi dhe teknologji të tjera ushtarake të avancuara. Javën e kaluar, agjencia pasardhëse e KGB-së arrestoi një shtetas kinez nën akuzën se tentoi të blinte kopjen e projektit të çmuar rus të sistemit të raketave tokë-qiell, S-300, me rreze të gjatë veprimi. Një aspekt tjetër i marrëdhënieve Rusi-Kinë ishte shitja e energjisë. Por edhe aty Rusia ka humbur epërsinë.
Për 16 vjet, Rusia dhe Kina kanë diskutuar ndërtimin e dy rrugëkalimeve të gazit nga Siberia për në Kinë. Ndërkohë që rusët debatonin mbi çmimin herë pas here, Kina ndërtoi një rrugëkalim gazi që shkon nga Turkmenistani, në Azinë qëndrore, deri në Kinë.