Vrasja e Gadafit, funerali do të mbahet i fshehtë

Autoritetet libiane janë duke planifikuar të zhvillojnë një funeral të fshehtë gjatë orëve në vijim, për ish-diktatorin Muammar Gaddafi, të vrarë të enjten. Burime zyrtare nga Tripoli thonë se nuk kanë vendosur ende se ku do ta varrosin. Për momentin, trupi i pajetë i njeriut që udhëhoqi Libinë për më shumë se katër dekada duket se ndodhet në qytetin e Misuratës, vend ku u dërgua pas rënies së Sirtes. Bashkë me të, në dy dhoma të ndara është ekspozuar edhe trupi i djalit të vrarë të Gadafit, i cili pësoi të njëjtin fund si babai i tij. Muamar Gaddafi u zu rob nga rebelët në një nga tunelet në rrugët e Sirtes ndërsa në fillim u plagos prej tyre. Vdekja e tij tashmë është e konfirmuar, por deklaratat për mbi mënyrën sesi vdiq ish lideri Libisë,janë kontradiktore. Momenti i vdekjes së tij ende nuk është deklaruar saktësisht, por media të ndryshme flasin për vrasje me gjakftohtësi dhe njeriu që shkrepi armën, është 20-vjeçari Mohamed al Bibi, i cili i heq kolonelit nga dora pistoletën e tij të artë dhe e qëllon. Pistoleta dhe një radio u morën më pas nga rebelët të cilët kanë rrëfyer edhe ngjarjen dhe momentin e kapjes së tij. Dyshimet për mënyrën e vdekjes së Gadafit, duket se do të nxisin "Amnesty International" të kërkojë një hetim, por libianët nuk janë aspak të shqetësuar nga ky fakt.
Pas dekadash të tëra vuatjeje e masakrash, ata mendojnë se drejtësia u vu në vend, madje festimet kanë përfshirë të gjithe vendin , edhe pse armët ende vijojnë të mbeten në duart e libianëve.