Taksat vendore, kategoritë që përjashtohen nga detyrimet
Emanuela Sako
Bashkia e Tiranës ka përjashtuar nga pagesa e taksave vendore ose familjare, të gjitha kategoritë në nevojë. Ajo pjesë e shoqërisë që është përjashtuar nga taksat janë të gjithë personat që janë të pajisur me dokumentet përkatëse të paaftësisë apo me dokumentet e tjera që i përjashton ata nga shlyerja e detyrimeve. Pjesë e këtyre kategorive janë veteranët, invalidët e punës dhe të luftës, të verbrit, të sëmurët paraplegjikë dhe tetraplegjikë. Ndërsa pensionistët dhe përfituesit e ndihmës ekonomike paguajnë një shumë vjetore të reduktuar prej 100 lekësh. Këto lehtësira janë krijuar në bazë të marrëveshjeve ndërinstitucionale, duke u bazuar në pamundësinë e punësimit të këtyre personave, në bazë të të ardhurave dhe nevojave që kanë. Në taksat familjare hyjnë, taksa e ndërtesës, taksa e gjelbër, taksa e pastrimit.
Rregullat
Sipas specialistëve të Bashkisë së Tiranës, baza e taksës mbi ndërtesat është sipërfaqja e ndërtimit në metër katror e ndërtesës ose e pjesës së saj, mbi dhe nën nivelin e tokës dhe për çdo kat. Sipërfaqja në pronësi të taksapaguesit
përcaktohet sipas dokumenteve që e vërtetojnë këtë pronësi.
Detyrimi për taksën mbi ndërtesën është vjetor, po kështu dhe për taksat e tjera familjare. Për këto kategori detyrimi duhet të paguhet në 2 këste. Kësti i parë paguhet brenda datës 30 Prill dhe kësti i dytë paguhet brenda datës 30 Shtator. Për çdo familje të krijuar rishtazi, afati i pagesës së taksës së gjelbër do të jetë 30 ditë nga dita e regjistrimit të saj në Zyrën e Gjendjes Civile të Njësisë Bashkiake përkatëse dhe detyrimi tatimor do të llogaritet nga muaji korrent i regjistrimit të saj.
Paketa
Paketa fiskale, jep të detajuar të gjitha kontributet që duhet të paguajnë taksapaguesit brenda këtij viti. Përsa i përket pastrimit të qytetit, sipas paketës fiskale të miratuar një vit më parë, kjo taksë do të pësojë një rritje nga viti i kaluar. Kështu, taksa e pastrimit për këtë vit është 4000 lekë dhe do të bëhet 5 000 lekë në vitin 2010. Taksa e gjelbër ndryshon, duke u bërë 400 lekë për 2009-n dhe 500 lekë në vitin 2010. Këto vlera janë miratuar përsa u përket familjarëve. Ndërsa për bizneset ato janë pak më të larta. Taksat për biznesin e vogël kanë pësuar gjithashtu ndryshime. Kështu, objektet e shitjes me pakicë, që bëjnë deri në 2 milionë lekë xhiro, do të paguajnë 45 mijë lekë si taksë vjetore. Kjo është më e ulëta, ndërsa për biznese që kryejnë deri në 8 milionë lekë xhiro, tarifa që ato duhet të paguajnë shkon në 143 mijë lekë në vit. Taksa e tabelës, e vendosur për qëllime reklamimi, është 1 mijë lekë metri katror në ditë. Sipas formulimit që i bëjnë ekspertët, vendosje tabele në funksion të ekspozimeve të ndryshme të hapura do të kuptohen të gjitha ato tabela në funksion të panaireve të ndryshme, që kanë si qëllim për vete ose për të tretët. Paketa e re fiskale arrin të favorizojë bizneset, si lojëra me kompjuter, lojëra fëmijësh të hapura dhe të mbyllura, institucionet jopublike të edukimit, si shkollat, kopshtet apo çerdhet dhe subjektet që zhvillojnë aktivitet në fushën e prodhimit të produkteve ushqimore.
Sanksionet që parashikohen në rastin e tejkalimit të afateve
Mosrespektimi i afateve të përcaktuara, sipas ligjit, parashikon sanksione për të gjithë ata që nuk respektojnë afatet. Nëse familjarët nuk paguajnë taksat e përcaktuara me ligj, atëherë njësitë bashkiake përkatëse kanë të drejtë të mos u ofrojnë shërbimet e qytetarëve, si në rastin e mosdhënies së certifikatave. Ndërsa për bizneset që nuk do të tregohen korrekt me shlyerjen e detyrimeve do të jenë të detyruar të paguajnë më tepër se më parë. Kjo, sepse vlera e parave shtohet në masën 25 për qind të detyrimit të papaguar në afat. Të gjithë pronarëve të bizneseve të mëdha apo të vogla u bie shumë më shtrenjtë në rast se nuk tregohen korrektë me rregullat ligjore të Bashkisë. Nëse një biznes i madh, i vogël, apo edhe bizneset familjare, i paguajnë taksat para afatit të përcaktuar, do të përfitojnë deri në 10 për qind ulje të vlerës së totalit të taksave dhe tarifave vendore. Bashkia e Tiranës ka marrë masa ndëshkuese ndaj atyre që kanë neglizhuar rregulloren, ku numri i bizneseve nuk ka qenë i paktë. Ndërsa masat për familjarët nuk kanë të bëjnë me shuma parash, por atyre nuk u ofrohet shërbimi në gjendjet civile të njësive bashkiake përkatëse deri në momentin e shlyerjes së detyrimeve.
Ekonomiku, UT bën gati padinë për ndërtimin e godinës
Çështja e ndërtimit të godinës në ambientet e Fakultetit Ekonomik tashmë do të hyjë në rrugën ligjore. Universiteti i Tiranës ka bërë gati padinë kundër ndërtimit të godinës në oborrin e Fakultetit të Ekonomisë. Rektori i këtij universiteti, Dhori Kule shpjegon se bashkia e Tiranës nuk ka reaguar pas thirrjes së tij publike për anulimin e lejes dhe e vetmja zgjidhje tashmë mbetet rruga ligjore. Leja e ndërtimit të godinës brenda oborrit të Fakultetit Ekonomik është kundërshtuar dy herë nga kryetari i KRTRSH-së, në atë kohe ish-kryeministri Fatos Nano. Kule bën të ditur se do t’i drejtohet sërish KRTRSH-së për këtë konflikt, duke i çuar kërkesën edhe kryeministrit të vendit, Sali Berisha. Burime nga Fakulteti Ekonomik deklarojnë se ditën e martë rreth mesditës, studentët e Universitetit të Tiranës do të organizojnë një tjetër protestë në lidhje me ndërtimin e kësaj godine, e cila sipas tyre, është një shkelje e hapur e Ligjit të Urbanistikës për shfrytëzimin e hapësirave universitare.
20 Tetor 2009