“Marrëdhëniet Shqipëri - Turqi do njohin vetëm zhvillime pozitive”
Zhvillohet në Turqi konferenca me temë: “Ballkani nga Lufta në Paqe” - ministri Panariti takon homologun turk Davutoglu
Në kuadrin e vizitës së tij në Stamboll ku po merr pjesë në Konferencën me temë: “Ballkani nga Lufta në Paqe”, Ministri i Punëve të Jashtme Edmond Panariti, zhvilloi një takim dypalësh me Ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë Ahmet Davutoglu. Të dy Ministrat evidentuan marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe që ekzistojnë mes dy vendeve duke shprehur vullnetin për t’i forcuar ato më tej , veçanërisht në fushën e ekonomisë, arsimit dhe kulturës. Ministri Panariti falënderoi homologun e tij për mbështetjen që Turqia i ka dhënë Shqipërisë, duke shtuar se vitet e fundit janë shumëfishuar shkëmbimet tregtare mes dy vendeve, shoqëruar me një bum investimesh turke në Shqipëri. Gjithashtu, z. Panariti theksoi se edhe në drejtim të arsimit ka një bashkëpunim të shkëlqyer mes dy vendeve. Në vazhdim ai vlerësoi Turqinë për njohjen dhe mbështetjen që i ka dhënë shtetit të ri të Kosovës. Ndërkohë Ministri i Jashtëm turk Davutoglu, shprehu bindjen se marrëdhëniet mes dy popujve do të njohin vetëm zhvillime pozitive në të ardhmen. “Populli shqiptar dhe ai turk e kanë mbështetur gjithnjë njeri tjetrin”, theksoi Davutoglu. Në këtë kuadër ai shtoi se Shqipëria është një histori suksesi në drejtim të zhvillimit, ndërsa shprehu mbështetjen për politikën rajonale që ndjek Shqipëria. “Faktori shqiptar ka kontribuar në stabilitetin rajonal”, theksoi Davutoglu. Duke folur për bashkëpunimin ekonomik, Ministri Davutoglu premtoi se do të zgjerohet prania turke në Shqipëri përmes investimeve. Ai gjithashtu premtoi se vendi i tij do të mbështesë krijimin e Qendrave të arsimit shqip dhe kulturës shqiptare në Turqi. Të dy Ministrat shprehën bindjen se marrëdhëniet tradicionale mes dy popujve do të forcohen. Në fund, ministri Panariti ftoi homologun turk Davutoglu të vizitojë Shqipërinë, ftesë e cila u pranua me kënaqësi.
...