Marrëdhëniet e mia me Topin dhe Berishën
Tashmë futbolli shqiptar është në duart e tij, si një President që zgjidhet 3 herë në krye të Federatës Shqiptare të Futbollit. Të mendosh që 9 vjet më parë, kur ai kandidonte për herë të parë për postin e kreut të FSHF-së, të gjithë e shihnin me dyshim jo vetëm sepse nuk vinte nga fusha e futbollit, por mbi të gjitha sepse ishte një biznesmen dhe mendohej se dhe futbollin e shihte si të tillë. Sot Armand Duka në futbollin shqiptar ngjason me Sepp Blaterin e futbollit botëror. As më pak e as më shumë Duka është ai që në gjuhën e tifozërisë, por dhe në gjuhën e presidentëve të klubeve e etiketojnë si “I plotfuqishmi”. Duke qenë shpesh në qendër të vëmendjes së medias, presidenti i FSHF-së ka zgjedhur që të mos jetë aq popullor. Nuk e sheh çdo ditë në faqet e gazetave, veçse në raste të veçanta të veprimtarisë së Federatës së Futbollit dhe vetëm kaq. Nuk ka folur thuajse asnjëherë për jetën e tij private, për dëshirat, pasionet. Nuk ka preferuar të flasë për Armand Dukën përtej fushës së futbollit. Në këtë intervistë për MAPO-n Armand Dukën do ta shihni “të zhveshur” nga kostumi hijerëndë i Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit. Do të mësoni cilat janë pasionet, dëshirat dhe dëshirat e parelizuara, por dhe se çfarë mendon ai për martesën, dashurinë, njerëzit të cilëve u beson dhe “lidhjet” e tij me Zotin, deri te marrëdhëniet e tij me politikën, presidentin Bamir Topi dhe kryeministrin Sali Berisha.
Në vitin 2002, kur u zgjodhët për herë të parë president i FSHF-së, ju vinit nga bota e biznesit dhe një nga minuset që ju faturohej ishte se nuk e njihnit futbollin. Sot që keni rifituar një tjetër mandat në krye të FSHF-së, a keni menduar ndonjëherë arsyen se përse atëherë për herë të parë përballë Miço Papadhopullit votuam për ju?
Sporti në njohuritë dhe formimin tim si ekonomist apo biznesmen ishte një shtojcë e kulturës sportive, e cila në familjen time kishte qenë prezente pa ndërprerje, duke filluar nga babai im, i cili ka luajtur futboll e duke vazhduar me vëllanë e madh që ka qenë një volejbollist i shquar. Në atë kohë, pra në vitin 2002, biznesi më kish lidhur me shumë kolegë, të cilët duke qenë në pozita të mira financiare ishin vendosur në rolin e presidentit në disa klube të Shqipërisë. Propozimi i tyre, madje edhe këmbëngulja në ndonjë rast, më sollën deri te kandidimi për postin e presidentit.
Implementuat në futbollin shqiptar filozofinë e drejtimit nga një trajner i huaj. Si e shihni sot këtë risk që morët (kam parasysh që kishit shumë zëra kundër) dhe a jeni zhgënjyer nga zgjedhjet që keni bërë për trajnerët e huaj në krye të Kombëtares?
Filozofia e një trajneri të huaj për Kombëtaren tonë nuk është se më është shfaqur në ëndërr apo ka kaluar si një iluzion në mendjen time. Gjithçka ka qenë konkluzion i një përballjeje me realitetin në këtë pikë të rëndësishme të punës si president i FSHF-së dhe nuk jam zhgënjyer asnjëherë për këtë veprim. Ka dy momente që dua të theksoj në këtë përgjigje: Së pari, në asnjë mënyrë, duke vepruar kështu, unë nuk kam nënvlerësuar nivelin e trajnerëve shqiptarë, me të cilët kam miqësi dhe respekt të veçantë; dhe së dyti, asnjëherë këtë vendim nuk e kam marrë i vetëm por, gjithnjë me miratimin dhe mbështetjen e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së.
Ndeshja e kombëtares që ju ka bërë të ndiheni krenar dhe ajo që ju ka zhgënjyer më shumë?
Të gjitha ndeshjet e Kombëtares shqiptare më kanë bërë të ndihem krenar, sepse flamuri, himni dhe fanella kuqezi e bëjnë një gjë të tillë, ndërsa zhgënjimi varet nga loja dhe rezultatet. Besoj është e kuptueshme.
A ka presidenti i FSHF-se një lojtar të preferuar apo që e vlerëson më shumë?
Për mua e rëndësishme është Kombëtarja dhe të gjithë lojtarët që thirren pranë saj në një farë mënyrë janë të preferuar nga të gjithë. Për të vlerësuar dikë më shumë është çështje emocionale që i shkon më të dalluarit në ndeshjen e radhës.
A do të jetë ndonjëherë Shqipëria në ndonjë kompeticion europian me ju në krye të FSHF-së? A është kjo një ëndërr e juaja?
Kjo, unë besoj është ëndërr e të gjithë sportdashësve shqiptarë kudo që jetojnë…
Me mua President?! Jam i gatshëm ta dorëzoj mandatin, në rast se do t’i nevojitet Kombëtares për të qenë në ndonjë finale europiane apo botërore.
Shpesh ju kemi parë në podiumet e futbollit me presidentin Bamir Topi dhe pak më pak me kryeministrin Sali Berisha. Si janë marrëdhëniet tuaja, apo të institucionit tuaj, me këta të dy dhe me politikën në përgjithësi?
Marrëdhëniet si me Presidentin e Republikës, zotin Topi, ashtu edhe me Kryeministrin, zotin Berisha, janë korrekte, institucionale dhe në funksion të zhvillimit të futbollit në Shqipëri. Zoti Topi ishte prezent në podiumin për dorëzimin e Kupës së Shqipërisë, sepse është traditë në vendin tonë, ndërsa zoti Berisha mbështeti fuqishëm ndërtimin e stadiumit të ri Kombëtar dhe shpërbleu ekipin përfaqësues për fitoren me Bjellorusinë. Si drejtues të lartë të vendit, të dy janë të kujdesshëm për të qenë afër lojës magjike.
Miqësia juaj me Platininë është komentuar herë si lidhje interesi e herë si miqësi e vërtetë. Ju vetë si do ta etiketonit?
Platinia është President i UEFA-s dhe përpara se të zgjidhej në këtë post të rëndësishëm ka qenë e mbetet një nga yjet e futbollit botëror e si i tillë është shpërdorim të minimizosh dimensionet e këtij njeriu. Michel në radhë të parë është mik i Shqipërisë dhe shqiptarëve, pastaj bashkëpunëtor i Federatës Shqiptare të Futbollit dhe presidentit të saj. Marrëdhëniet e mia personale me Platininë janë shumë të mira.
Në një ambient mashkullor është më e lehtë të punohet me femra apo me meshkuj. Ju vete do preferonit të punonit me meshkuj apo me femra?
Kohët e fundit, në rast se ju e keni ndjekur, ne i kemi dhënë prioritet futbollit të femrave në Shqipëri, kështu që nuk është vetëm një ambient maskilist puna me futbollin. Kjo ishte për kujtesë, sepse unë mendoj që përkatësia e seksit është e fundit që ndikon në mbarëvajtjen e punës. Në federatë ne kemi femra, madje edhe me detyra drejtuese. Personalisht preferoj një staf miks.
Jetoni në Durrës, ndërsa pjesën më të madhe të ditës e kaloni në punë në Tiranë. Nuk ndaheni dot nga këta dy qytete apo parapëlqeni që punën dhe familjen t’i mbani larg njëra-tjetrës?
Falë zhvillimit infrastrukturor e urban, Tirana me Durrësin janë bashkuar në një, megjithëse unë punët i kam pothuajse njësoj edhe në Durrës. Edhe më herët jam mësuar që biznesit, futbollit e familjes t’i jap kohën që duhet për të ruajtur raportet e një jete normale.
A besoni në zot?
Besoj në Zot dhe i respektoj të gjithë besimtarët, pavarësisht nga besimi që përfaqësojnë. Inshallah beson edhe Zoti tek unë .
Një fjalë me të cilën do ta etiketonit veten tuaj?
I durueshëm, i qetë.
Një fjalë me të cilën të tjerët ju etiketojnë më shpesh?
Pyesni të tjerët.
Makina e parë që keni pasur?
Opel Ascona.
Së fundmi keni një Bentley, që sipas thashethemeve mediatike ka kushtuar 200 mijë euro (mund të jem e gabuar). Keni pasion makinat e shtrenjta, apo i blini sepse thjesht ua mban xhepi?
Është e vërtetë që makinat hyjnë në pasionet e mia. Në rastin e fundit, janë bërë bashkë dëshira me mundësinë.
Çfarë do të bëje dhe çfarë nuk do të bëje për para?
Menjëherë më vijnë në mendje dy fjalë: për të parën Punë dhe për të dytën Padrejtësi.
Pesë gjërat për të cilat sipas jush ia vlen të jetohet?
Janë shumë ato për të cilat njeriu duhet të jetoje, si për shembull “Jeta është e bukur”, “Jeta është vetëm një”... Dashuri, Dinjitet, Detyrë, Përkushtim, Kontribut etj.
Besoni te martesa me dashuri apo te dashuria pa martesë?
Te martesa me dashuri
Martesa çfarë ngjyre ka për ju?
Nuk ka ngjyrë
Si është një ditë juaja, ideale?
Të gjitha janë ditët e Zotit. I jetoj dhe i respektoj ashtu si vijnë.
Udhëtimi që keni ëndërruar dhe që nuk e keni bërë akoma?
Në Brazil bashkë me Ekipin Kombëtar
Njeriu të cilit i besoni më shumë?
Vëllai im.
Personi që njihni më mirë dhe personi që ju njeh më mirë?
Besoj se bashkëshortja ime në të dy rastet.