E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fuga: Jam një mekanizëm mes dy kulturash të mëdha

Shkëlqesia Juaj, Ambasadore e Republikës Franceze në Shqipëri, zonja Maryse Daviet! Më lejoni, Ju lutem, t’Ju shpreh të gjitha falenderimet e mija më të sinqerta, më të thella, për fjalët që dëshiruat të thoshit në adresën e personit tim.

Kam nderin e veçantë ta kap menjëherë këtë rast për t’Ju përgjigjur dhe për t’Ju siguruar për atë se çfarë ka bërë për formimin tim intelektual dhe shpirtëror kultura franceze, frankofonia dhe Franca; për mua, pra, si profesor i Universitetit të Tiranës, anëtar i mjedisit të gjerë universitar shqiptar, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, është gjerësisht dhe thellësisht shumë herë më e rëndësishme dhe më e madhe në krahasim me kontributet e mia, vërtet të vogla, në kulturë, kërkimin shkencor dhe mësimdhënien universitare në Francë dhe në Shqipëri.

Në të vërtetë, nuk ndihem veçse një burmë, antenë, dhe mekanizëm transmetimi midis dy kulturave realisht të mëdha, asaj franceze dhe shqiptare, vlerat e të cilave unë përpiqem t’i përvetësoj; dy kultura me përvoja dhe mësime universale, të shkëlqyera dhe dramatike.

Njëzet vjet më parë, isha pothuajse një universitar shqiptar ende me një karrierë të re, ndërkohë që m’u dha shansi krejt i falur për të përfituar nga dy rrethana historike të mëdha, të cilat e ndryshuan krejtësisht fatin tim në jetë dhe trajektoren time profesionale. Rrethana e parë ishte fillimi i procesit të demokratizimit të Shqipërisë, ndërsa rrethana e dytë kishte të bënte me politikën e qeverisë franceze për të ndihmuar me të gjitha forcat riformatimin teorik dhe metodologjik të universitarëve shqiptarë, me qëllim futjen e tyre jo vetëm në universin shkencor frankofon, por edhe përtej këtyre horizonteve, duke iu mundësuar të vihen në kontakt të thellë, të përhershëm me arritjet e shkencave humane dhe shoqërore perëndimore.

Unë zgjodha për ta rinisur riformatimin tim shkencor në Francë, duke ndjekur, ndoshta në mënyrë të pandërgjegjshme, si ndjenjë mungese, trasenë e trashëguar në kujtesën familjare të pjesëtarit të fisit që në vitet tridhjetë të shekullit të kaluar ishte diplomuar në Francë, dhe që dukej që atje tej se mbartte vlerat e paharrueshme të kulturës franceze. Franca e revolucionit të 1789-s, Franca e çlirimtarëve të De Gaulle në vitet e Luftës së Dytë Botërore, marr me mendje sot, besoj, i ka motivuar, ndoshta, prindërit e mi të më shtynin në vitet ’60, ende një fëmijë në atë periudhë, me mundësitë e asaj kohe, në mësimin e frëngjishtes dhe të kulturës dhe të historisë së Francës.

Kam rastin që këtu është i pranishëm dhe gjuhëtari i shquar, profesor Shezai Rrokaj, për t’i rrëfyer se mbase ishte pikërisht gjuha që përcaktoi në një shkallë të madhe edhe fatin tim intelektual dhe shkencor në jetë.

Nuk e lashë të më ikte fati krejt rastësor në atë kohë për të shkuar në Francë, duke përfituar nga një bursë e qeverisë franceze, pa përtuar të rivesh edhe një herë petkun modest të një studenti që ishte regjistruar, me ndihmën e profesor Kudret Çelës, ish-dekani im në atë kohë, në ciklin e studimeve të thelluara (masteri i sotëm shkencor), në Universitetin Paris 1O, Nanterrë, atje ku zanafilluan lëvizjet studenore mbarëeuropiane dhe më gjerë më 1968. Gjurmët e tyre ishin ende të freskëta në muret e aulave universitare. Profili i studimeve të mia ishte në filozofinë e punës brenda modulit të shkencave politike. Ngarkesa ma donte që të ndiqja edhe leksionet e filozofisë, që jepeshin nga filozofë të shquar në vitin e parë të studimeve në filozofi.

Rifillova jetën konviktore dhe studentore në një kohë kur tashmë isha 38 vjeç, kisha tashmë një doktoraturë në filozofi në Universitetin e Tiranës dhe isha po në këtë universitet përgjegjësi i departamentit të filozofisë, sociologjisë dhe shkencave politike. Kisha tashmë edhe përgjegjësi prindërore, sepse fëmija im ishte në atë kohë katër vjeç. Shokët dhe shoqet e mia të kursit nuk kishin më shumë se 20 vjeç.

Pa dyshim ishte ndihmesa dashamirëse e profesorëve të mi francezë, asgjë tjetër realisht, që më lejoi të ndjek më tej ciklin e studimeve dhe të kërkimit shkencor në Francë. Mbrojta doktoraturën e dytë në fushën e shkencave të informimit dhe të komunikimit në Universitetin e madh Paris 2, Pantheon-Assas, pastaj mbrojta edhe diplomën e doktorit të habilituar në fushën e shkencave humane dhe sociale, profili i filozofisë, në Universitetin Paris 10. Po ndihmesa e profesorëve dhe shkencëtarëve franceze më dha dorën për të qenë për katër vjet rresht profesor me kohë të plotë punë në departamentin e sociologjisë të Universitetit Paris 10. Më pas njoha edhe përvojën e kërkuesit shkencor të asociuar në laboratorin Ladyss të CNRS, si edhe praktikat e mësimdhënies universitare si profesor i ftuar pranë Institutit Francez të Shtypit.

Ka qenë një fat i madh për mua që nën drejtimin e mjeshtërve të kërkimit shkencor të botoj fillimisht në Francë dhe pastaj në Shqipëri librat e mi me studime. Aktualisht po mundohem që libri im “Rrota e Mundimit”, botuar tashmë në shqip, të dalë sa më kuptueshëm në versionin në frëngjisht në Francë, kjo edhe në sajë të mbështetjes dashamirëse të Ministrisë shqiptare të Arsimit, dhe nën kujdesin personal të ministrit, zotit Myqerem Tafaj.

Por, sot, unë kam edhe një mendim mirënjohjeje shumë të thellë dhe falenderime të veçanta, të cilat i adresoj te autoritetet e arsimit kombëtar, universitar, kërkimit shkencor, që janë edhe këtu të pranishëm dhe më kanë nderuar me pjesëmarrjen e tyre në këtë ceremoni dekorimi; ministri i Arsimit, zoti Myqerem Tafaj; rektori i Universitetit të Tiranës, zoti Dhori Kule; kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, zoti Gudar Beqiraj; si edhe kolegë, miq, drejtues universitarë në Tiranë, që më kanë dhënë besim për të më mundësuar ta ndaj jetën time profesionale midis Parisit dhe Tiranës. Ata më kanë dhënë një besim të madh jo vetëm në planin miqësor, po se po, por gjithashtu sepse kanë besuar te një premtim ndofta në heshtje që u kam bërë.

Cili është ky premtim? Të gjithë investimin e kushtueshëm që shoqëria shqiptare ka bërë për mua në disa dekada, investimi edhe i vetë atyre personalisht, përtej formulave burokratike, investim prej të cilit kam përfituar në planin profesional dhe intelektual, i gjithë ky investim, pra, do të shkojë në mënyrë të padiskutueshme, gjithmonë, drejt përmirësimit pa kompromis të cilësisë të mësimdhënies universitare shqiptare, për të mirën e formimit të brezit të ri shqiptar dhe integrimit të kërkimit shkencor në hapësirën europiane universitare.

Edhe një herë faleminderit!

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›