E Shtunë, 31 Tetor 2026

Franca bën Artan Fugën ‘Kalorës të Urdhrit Kombëtar’

SHKRUAN: Alfred Lela 05-07-2011 13:21

Veranda e gjerë mbytur në të bardhë, dielli që po i shmanget një tjetër dite të gjatë korriku, frëngjishtja që nuk e kapërcen as kësaj here atë ndjesinë e saj si gjuhë e pëshpërimës dhe një koktej parfumesh bredharake zonjash, mjaftojnë për të të dhënë iluzionin e Francës, por jo: je në Tiranë; në Rrugën e Ambasadave. Francez është territori, ceremonia dhe nderimi. Artan Fuga, frankofon, akademik dhe autor i një radhe librash mbi sociologjinë e komunikimin u nderua mbrëmë në Ambasadën Franceze nga Ministria e Arsimit dhe Kërkimeve të këtij vendi me medaljen e Kalorësit të Urdhrit Kombëtar të Palmave Akademike. I themeluar nga Napoleoni në vitin 1808 për të nderuar eksponentë të botës akademike, Medalja, në vitin e 203-të jetës, vjen e vendoset në thilenë e xhaketës së akademikut shqiptar Artan Fuga, si dëshmi jo vetëm e kontributit të tij por edhe e lidhjeve franko-shqiptare. Ambasadorja franceze në Shqipëri, Maryse Daviet, në fjalën e mbajtur në ceremoninë e rastit e ka quajtur Fugën “njërin nga vektorët kryesorë të frankofonisë dhe të kulturës franceze”. Daviet e ka përgëzuar gjithashtu akademikun shqiptar “për punën e bërë në formimin e gazetarëve me një deontologji të rreptë por jetike për lirinë e shtypit dhe pavarësinë e tij, si dhe për demokracinë”. Pas dorëzimit të Medaljes dhe Diplomës së Kalorësit të Palmës së Artë, kanë përshëndetur edhe gazetarja e AFP-së, Briseida Mema, që ka folur për Fugën e fëmijërisë dhe akademikun Fuga. Mema është ndjekur nga një përshëndetje e ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj, pasuar nga një koktej me të ftuar nga bota akademike, e medias dhe botimeve.

HISTORIA

Çfarë është Palma Akademike

Palma Akademike është quajtur kështu që nga Napoleoni I, për nder të anëtarëve të universitetit që nga viti 1808. Urdhri i Palmave Akademike përmban tri grada: kalorës, oficer dhe drejtues. Kjo jepet zakonisht me rastin e 14 korrikut, festa kombëtare e Francës. Personat që marrin palmën duhet të kenë dhënë kontributin e tyre në arsim. Atë e marrin të huajt dhe francezët që jetojnë jashtë vendit, të cilët kanë kontribuar në përhapjen e kulturës franceze në botë. Për t’u emëruar Kalorës duhet që personi të jetë mbi 35 vjeç dhe të ketë 15 vjet në shërbim të një prej aktiviteteve që varen nga Ministria e Arsimit, qoftë në universitet, për rininë apo sportet.

“Fuga i angazhuar për integrimin europian”

I dashur Artan Fuga! Ju jeni një personalitet dhe një universitar i mirënjohur në Shqipëri, sepse jeni anëtar i Akademisë së Shkencave, në të cilën bëjnë pjesë personalitetet më të larta shkencore dhe universitare. Pasi jeni diplomuar për filozofi, ju keni marrë doktoraturën në Tiranë dhe diplomën e studimeve të thelluara (DEA) në Universitetin Paris 10. Ju jeni angazhuar më vonë në fushën e komunikimit dhe keni marrë me rezultate të shkëlqyera diplomën e Doktoraturës në Shkencat e informimit dhe të komunikimit në Paris Assas. Që nga ky moment, ju jeni profesor i ftuar nga ky universitet prestigjioz francez. Formimi dhe studimet tuaja ju kanë afruar që në fillim me gjuhën frënge dhe me Francën. Kjo është padyshim njëra nga arsyet që ju kanë shtyrë të bashkëpunoni aq ngushtë me Shërbimin e Bashkëpunimit të Ambasadës, duke marrë pjesë në formime universitare dhe në formimin e gazetarëve në bashkëpunim me AFP-në. Ju përgëzoj për punën e bërë në formimin e gazetarëve me një deontologji të rreptë, por jetike për lirinë e shtypit dhe pavarësinë e tij, si dhe për demokracinë. Ju jeni angazhuar në mbështetje të zhvillimit të vendit tuaj dhe të procesit të integrimit europian. Ju jeni gjithashtu njëri nga vektorët kryesorë të frankofonisë dhe të kulturës franceze. Për këtë, Ministria franceze e Punëve të Jashtme ju ka nderuar në vitin 2009 me diplomën e Personalitetit Frankofon të vitit. Jam e lumtur, i dashur Artan Fuga, t’ju dorëzoj, në emër të ministrit të Arsimit dhe Punës Kërkimore medaljen e Kalorësit të Urdhrit Kombëtar të Palmave Akademike.

*Fjala e ambasadores franceze Maryse Daviet.

Palma Akademike edhe për Ilirjana Lëngun

Me Medaljen e Palmës së Artë është nderuar edhe pedagogia e frëngjishtes, Iliriana Lëngu. Lëngu ka punuar për 35 vjet në mësimdhënien e frëngjishtes në Shkollën e mesme të gjuhëve të huaja të Tiranës dhe në seksionin dygjuhësh të këtij institucioni që në krijimin e tij në vitin 1998. Ambasadorja Daviet ka vlerësuar punën e mësueses veterane si dhe “gatishmërinë në shërbim të mësimdhënies, por edhe në shërbim të përhapjes së gjuhës frënge dhe të kulturës frankofone”. Më tej ambasadorja është shprehur se Lëngu ka formuar nëpërmjet gjuhës së Molierit dhe Kamysë disa breza nxënësish, shumë nga të cilët janë bërë funksionarë të lartë dhe personalitete të shquara në Shqipëri.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›