Diploma e Maturës, shpërndarja pas 12 korrikut
Maturantët do të pajisen me Diplomën e Maturës Shtetërore, dokument që do të lëshohet për herë të parë këtë vit pas përfundimit të gjimnazit, pas datës 12 korrik. Ky fakt bëhet i ditur nga drejtori i Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, Fatmir Vejsiu, i cili shpjegon se Diploma e Maturës do të fillojë të shpërndahet pas 12 korrikut, kohë kur do të publikohen edhe rezultatet e provimeve me zgjedhje. Fillimisht diploma do t’u jepet maturantëve që kanë zgjedhur të studiojnë jashtë vendit, që, sipas të dhënave nga MASH, këtë vit janë rreth 4 mijë të rinj që kanë zgjedhur të studiojnë jashtë vendit. Sakaq, Diploma e Maturës nuk do të jetë vetëm në Gjuhën shqipe, por dhe në Anglisht, dhe kjo për t’i dhënë këtij dokumenti jo vetëm më shumë rëndësi, por edhe për t’u njohur jashtë vendit, sikundër ndodh edhe në rastin e maturantëve që duan të studiojnë jashtë Shqipërisë. Përsa i përket të dhënave, Diploma e Maturës në përmbajtjen e saj do të ketë gjenealitetet përkatëse të maturantit, si dhe konfirmimin që ka mbaruar studimet e mesme në shkollën përkatëse. Ndërkohë që bashkëngjitur diplomës do të jetë edhe certifikata e notave, në të cilën do të evidentohen të gjitha rezultatet e arritura nga maturanti gjatë katër apo pesë vjetëve të shkollimit për të gjitha lëndët që ka studiuar. Po ashtu, në suplementin apo listën e notave do të shënohen edhe rezultatet e arritura në katër provimet e detyruara të Maturës 2011. Diploma, sikundër edhe suplementi, do të kenë elemente të caktuara sigurie, në mënyrë që të jenë të pafalsifikueshme. Ndryshe nga Dëftesa e Pjekurisë, Diploma e Maturës nuk do të lëshohet nga shkolla ku maturanti ka përfunduar arsimin e mesëm, por nga drejtori i Agjencisë Kombëtare të Provimeve. Sipas kushteve të vendosura këtë vit për pranimet në universitete, maturantët duhet detyrimisht të marrin të katër provimet e Maturës që të pajisen me Diplomën e Maturës, për të vazhduar më pas garën e konkurrimit për në shkollat e larta publike. Këtë vit, ky kusht do të jetë i vlefshëm edhe për universitetet private, që do t’i pranojnë studentët e rinj bazuar në dokumentin e Diplomës së Maturës, që ka zëvendësuar Dëftesën e Pjekurisë. Kjo do të thotë se këtë vit, jo vetëm në shtet, por edhe në privat, për të vijuar studimet e larta duhet të kesh kaluar me sukses katër provimet e Maturës, në të kundërt, duhet të presësh sezonin e ardhshëm, për t’iu nënshtruar lëndëve ku keni rezultuar jo kalues.
22 korrik, nis plotësimi i Formularit A2, për të cilin maturantët do të kenë vetëm 8 ditë kohë në dispozicion
2 mijë lekë do të jetë tarifa e tërheqjes së këtij formulari që do të shpërndahet së shpejti në të gjitha shkollat e vendit
Bashkëngjitur diplomës do të jetë edhe certifikata e notave, në të cilën do të evidentohen të gjitha rezultatet e arritura nga maturanti gjatë katër apo pesë viteve të shkollimit për të gjitha lëndët që ka studiuar.
Rezultatet, procedurat për fotokopjen e testit
Për të marrë fotokopjen e testit, çdo maturant duhet të dorëzojë një kërkesë pranë shkollës së tij, që do t’i përcillet më pas Komisionit të Maturës Shtetërore në drejtorinë arsimore përkatëse
Çdo maturant që nuk është i bindur për notën që ka marrë në dy provimet e para të Maturës, Gjuhë-Letërsi dhe Matematikë, mund të kërkojë testin përkatës, për të parë sesi u është përgjigjur pyetjeve, për rrjedhojë edhe vlerësimin. Ballafaqimi me testet është e vetmja mundësi që maturantët të binden për notat me të cilat janë vlerësuar, ndërkohë që këtë vit nuk ekziston mundësia e rishikimit të rezultateve, pasi kalimi i çdo testi në katër duar korrigjuesish e ka eliminuar, sipas MASH, mundësinë për të pasur gabime njerëzore. Për këtë arsye, autoritetet e Ministrisë së Arsimit shprehen të sigurt se edhe në rastin kur maturantët do të marrin fotokopjen e testit të tyre, do të shohin se kanë marrë atë notë që kanë merituar. Por, përtej këtij sqarimi, ka mjaft maturantë që nuk janë të kënaqur me notat që kanë arritur në dy provimet e para të Maturës, ndaj kërkojnë të shohin testin e tyre. Për të marrë fotokopjen e testit, çdo maturant duhet të dorëzojë një kërkesë pranë shkollës së tij, që do t’i përcillet më pas Komisionit të Maturës Shtetërore në drejtorinë arsimore përkatëse. Pas shqyrtimit nga ky komision, kërkesa e maturantit rikthehet në shkollën e tij, prej nga ku ai do të marrë edhe fotokopjen e testit përkatës. Rrugëtimi që bën kërkesa në këtë rast është: nga shkolla shkon në drejtorinë arsimore përkatëse dhe nga kjo e fundit shkon në Agjencinë Kombëtare të Provimeve ku janë testet e maturantëve. Më pas, nga Agjencia Kombëtare e Provimeve merret fotokopja e testit që i dorëzohet drejtorisë arsimore, institucion ky që e çon në shkollë. Sipas rregullave të Maturës 2011, çdo kandidat ka të drejtë të kërkojë edhe fotokopjen e testit të tij, pas përfundimit të të gjitha provimeve, me një kërkesë drejtuar Komisionit të Maturës Shtetërore pranë çdo drejtorie arsimore. Sakaq, për Maturën 2011, duke marrë shkas nga kontestimet e maturantëve jo vetëm për pikët, por edhe për preferencat e zgjedhur nga vetë ata, MASH ka vendosur që pas plotësimit, çdo Formulari A2 t’i bëhet një fotokopje që do të ruhet në drejtorinë e shkollës deri në përfundim të procesit të Maturës. Gjithashtu, specialistët e MASH-it këshillojnë që edhe vetë maturantët të ruajnë një kopje të Formularit A2 deri në mbyllje të procesit, për një ballafaqim të mundshëm, nëse do jetë e domosdoshme.
Formulari A2, maturantët vetëm 1 javë kohë
Plotësimi i Formularit A2 do të nisë më 22 korrik dhe maturantët do të kenë vetëm 8 ditë kohë. Ky formular, që është hallka e fundit për përcaktimin e fituesve në universitete, këtë vit do të ketë edhe mbi 20 programe të tjera studimi, duke u dhënë të rinjve edhe një shans më shumë për të ndjekur arsimin e lartë. Rezultatet do të nxirren në sajë të lexuesit optik, ndërkohë që autoritetet e arsimit premtojnë një proces transparent, që nuk ka synim penalizimin e maturantëve. “Ka programe të reja studimi që shkojnë rreth 24. Në mos gaboj, vjet kanë qenë 265 dhe sivjet bëhen rreth 289. Afati i formularit është përcaktuar në datat 22 dhe 30. Ne tashmë jemi në përfundim të miratimit të Formularit A2. Ka kohën e vetë të shtypjes dhe personalizimit. Është e kuptueshme se shumica e njerëzve thonë pse është ky afat dhe nuk është një afat tjetër. Afati nuk është thjesht për të rritur ankthin, por ende nuk janë marrë rezultatet e provimeve me zgjedhje”, - shpjegon Ndriçim Mehmeti, specialist në MASH. Formulari A2 do të shpërndahet në të gjitha shkollat e mesme dhe maturantët do ta tërheqin atë kundrejt pagesës prej 2000 lekësh të reja.