Studimi, gratë punojnë më shumë pa lekë
Puna e ndërmarrë nga gratë është e dominuar fuqishëm nga puna e papaguar, ndërsa puna e ndërmarrë nga burrat - nga puna e paguar. Kjo është një nga gjetjet e studimit “Përdorimi i kohës në Shqipëri”, realizuar nga Ministria e Punës dhe Instituti Kombëtar i Statistikës (INSTAT). Raporti jep informacion mbi mënyrën sesi e shpenzojnë shqiptarët kohën e tyre në aktivitete të ndryshme të jetës. Procesi i mbledhjes së të dhënave në terren zgjati për një periudhë 12-mujore, duke filluar nga muaji mars 2010 deri në javën e parë të marsit të vitit 2011. Nga 2250 familjet e zgjedhura për të marrë pjesë në studim, 91.5% e tyre iu përgjigjën pyetësorëve të studimit. Disa nga gjetjet e raportit janë: burrat shpenzojnë më shumë kohë sesa gratë në punë të paguar; puna e ndërmarrë nga gratë është e dominuar fuqishëm nga puna e papaguar, ndërsa puna e ndërmarrë nga burrat është e dominuar fuqishëm nga puna e paguar. Studimi tregon se në oraret 8:00-10:00 të paradites rreth 60% e burrave bëjnë punë të paguar, ndërsa 70% e grave bëjnë punë të papaguar. Pas orës 11:00 të mbrëmjes, rreth 40% e burrave shkojnë të flenë, ndërsa më shumë se 60% e grave janë ende duke bërë punë të papaguar (punë shtëpie), ose aktivitete të tjera. Të dhënat e studimit tregojnë se ekziston një hendek i madh gjinor në përdorimin e kohës në Shqipëri, ku femrat më së shumti e shpenzojnë kohën në punë të papaguara, si kujdesi ndaj familjes dhe fëmijëve, ndërsa koha e punës te meshkujt dominohet fuqishëm nga puna e paguar dhe politikat e ndërmarra nga qeveria në fushën e barazisë gjinore synojnë pikërisht zvogëlimin e këtij hendeku.