Marrëdhëniet e reja afgano-kineze dhe roli i diskutueshëm i Kinës, pas tërheqjes amerikane
Deri tani, Kina ka ushtruar një rol relativisht të kuptueshëm në stabilitetin e Afganistanit. Por, problemet e sigurisë dhe të tregtisë po e detyrojnë Pekinin të rilidhë nyjet me Kabulin – një marrëdhënie në përmirësim që mund të sjellë ndërlikime për strategjinë amerikane
Presidenti afgan, Hamid Karzai vizitoi Kinën muajin që shkoi. Gjatë 3 ditëve të qëndrimit të tij në Pekin, Karzai nuk takoi vetëm presidentin kinez, Hu Jintao, por edhe kryeministrin Wen Jiabao dhe anëtarin e komitetit të byrosë politike kineze, Wu Bangguo. Karzai nënshkroi marrëveshje me liderët kinezë lidhur me bashkëpunimin në fushën ekonomike, trajnimet teknike dhe tarifat e privilegjuara për eksportet afgane.
Ishte udhëtimi i katërt i Karzait, si president i Afganistanit dhe shenja e fundit që tregoi se Uashingtoni po shfaq padurim me regjimin e Karzait (duke i bërë presion atij, p.sh, për reformën elektorale). Kabuli sapo ka nisur të kërkojë mbështetës dhe përkrahës të rinj.
Për sa i takon hegjemonisë rajonale, Kina është zgjedhja e qartë. Në mënyrë të suksesshme duke i ardhur rrotull Pekinit, arsyet e Kabulit mund të korrnin mjaft begati në fushën e tregtisë, ndihmës ekonomike dhe trajnimeve ushtarake.
Interesi duket se është i përbashkët. Presidenti Obama ka përcaktuar afatin e fundit në korrik të vitit 2011 për të nisur tërheqjen e trupave nga Afganistani. Kina është e vetëdijshme se ka për të pasur një rol kryesor në sigurinë e Afganistanit, por edhe në mbarë rajonin.
Interesat e Kinës në Afganistan janë të dyfishta: siguria dhe tregtia. Afganistani mbetet një burim paqëndrueshmërie në perëndimin e Kinës.
Shqetësimet lidhur me shpirtin luftarak të islamikëve në kufirin perëndimor janë shtuar që kur ujgurët u rebeluan në korrik të vitit 2009 dhe ka shumë të ngjarë që të shtohen, ndërkohë që Amerika përgatitet për tërheqjen e trupave.
Partia Turkistane Islamike (dikur Lëvizja Lindore Turkistane Islamike), të cilën shpesh Pekini e fajëson për sulmet brenda Kinës, është e bazuar tek Afganistani dhe brezat kufitarë të Pakistanit.
Në shtator të vitit 2003, Hasan Mahsum, asokohe lider i kësaj partie, u vra në Vaziristan nga forcat e sigurisë të përkrahura nga zyrtarët e inteligjencës kineze.
Në shkurt, forcat amerikane vranë edhe Abdul Haq al-Turkistani, lideri i fundit i kësaj partie, në Vaziristanin verior.
Pekini mund të vazhdojë të ndjekë axhendën e vet duke i dhënë shtysë tregtisë dhe grupeve luftarake rebeluese, ndërkohë që Kabuli do të fitojë një partner serioz, afatgjatë që bën pak pyetje lidhur me korrupsionin dhe qeverisjen demokratike.
Teksa Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të fillojnë tërheqjen e forcave ushtarake dhe goditje të tilla do të rrallohen, Kina shqetësohet që partia në fjalë ka për të fituar më shumë liri.
Sapo grupet të jenë të paafta për aksione në kufi, sidomos në Xinjiang, ekzistenca e kësaj partie (TIP) në Afganistan dhe Pakistan (i lidhur me përdorimin gjithnjë e më të madh të gjuhës së ujgurëve nga propaganda në internet) do të vazhdojë të jetë një problem serioz për Kinën.
Prania më e ulët e ndërkombëtarëve në Afganistan mund të lejojë gjithashtu tregtinë e shfrenuar të drogës (heroinës). Kultivimi i opiumit u rrit pas rënies së Talibanit, më 2001, por është ulur vitin që shkoi për shkak të shtimit të trupave amerikane.
Më 2007 sipas Li Xianhui, drejtorit të parandalimit të drogës në Ministrinë e Sigurisë Publike të Kinës, u futën kontrabandë 386 kg heroinë në Kinë nga e ashtuquajtura Gjysmëhëna e Artë e Afganistanit, Iranit dhe Pakistanit, një total që i tejkaloi edhe të dhënat e vitit 2001 dhe 2004.
Këto kërcënime të ndryshme nuk kanë asnjë mundësi të ndihmojnë në shpërndarjen e trupave kineze në misionet luftarake apo rolet përkrahëse të tyre, duke qenë se qeveria kineze është e vetëdijshme që, po të bëhej fjalë për trupat ushtarake, madje edhe në një rol humanitar, alarmi do të binte për politikën kineze neo-imperiale, që të largohet nga kryeqytete si New Delhi dhe Tokio.
Por Kina ka një interes aktiv që të garantojë ushtrinë afgane të jetë në gjendje të mbrojë kufirin që ndan dy vendet. Ky qëllim është nënvizuar në takimin e marsit midis Ministrit afgan të Mbrojtjes, Abdul Rahim Wardak dhe Ministrit kinez të Mbrojtjes Kombëtare, Liang Guanglie. Ministri kinez i Mbrojtjes u zotua të vazhdojë mbështetjen e forcave afgane në formën e pajisjes ushtarake dhe trajnimit të personelit. Të dyja qeveritë kanë qëllim të përkrahin aftësitë e ushtrisë kombëtare dhe politikës afgane, kështu që, sipas fjalës së ëardak, ata do të jenë “mjaft të fortë për të mbrojtur vendin kundër kërcënimeve të brendshme dhe të jashtme”.
Tregtia dhe ndihma për zhvillim krijojnë një anë të rëndësishme të raportit të mëtejshëm afgano-kineze. Edhe pse ekonomia afgane llogaritet sa 1/10 e 1% të portofolit të plotë kinez, mundësia e burimeve me çmim të lirë në kufi, është në interes të madh të Pekinit.
Kina tashmë ka realizuar investimin më të madh në Afganistan: 3.5 bilionë $ në Aynak, në provincën e Logarit. Kina po ashtu do të ndërtojë një impiant nuklear prej 400 megavatësh, një hekurudhë për transport nga Xuari përmes Taxhikistanit për në Afganistan, një spital dhe një xhami.
Marrëveshje të tilla gjithashtu plotësojnë një nevojë dytësore për Kinën: zhvillimi i rajoneve të veta perëndimore. Përveç dhunës etnike që ndodhi korrikun e shkuar - ose mbase për shkak të saj - Pekini ka dyfishuar përpjekjet për rritjen ekonomike të dy provincave perëndimore, Xuari dhe Rajoni Autonom i Tibetit.
Në mars, Hu është shprehur se zhvillimi i rajonit perëndimor është një përparësi e Planit të 12-të të Kinës për 5-vjeçarin e fundit, që do të jetë nga viti 2011-2015. Këto çështje ka të ngjarë të drejtojnë zhvillimin e Kinës, pikërisht në infrastrukturën kineze. Pekini po financon ndërtimin e një rruge të re, një rrjeti komunikimi celular, që do të lejojë lëvizje më masive dhe mundësi tregtie me kufirin.
Do të jetë e mundur, madje, që Kina të hapë kalimin Wakhjir, një udhëkryq mes maleve të larta që dikur ka qenë pjesë e Rrugës së Mëndafshtë. Në muajin janar, gjatë një konference për Afganistanin në Stamboll, ministri i punëve të jashtme kineze, Yang Jiechi, u shpreh se Kina ka siguruar 132 milionë dollarë për rikonstruksionin në Afganistan, që nga viti 2002. Më 2009, Pekini këmbeu 75 milionë dollarë në huadhënien tip koncesionare në ndihmën financiare, me një mbetje prej 60 milionë dollarësh që t’i shpërndaheshin qeverisë afgane për 4 instalime deri më 2013.
Padyshim që ky zhvillim zbehet disi, krahasuar me kontributet e vendeve të tjera, sidomos të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që ka siguruar 5.87 bilionë dollarë që nga viti 2002 e deri më 2007 me një buxhet prej 3.77 bilionë dollarë për vitin 2008 dhe 2009. Departamenti i Mbretërisë së Bashkuar për Zhvillimin Ndërkombëtar ka shpenzuar 220 milionë dollarë në vitet 2008-2009 në Afganistan.
Madje, edhe Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ka shpenzuar afërsisht 70 milionë çdo vit në Afganistan, më shumë se gjysma e buxhetit të Kinës këto 8 vitet e fundit.
Interesi i Kinës është rritur në Afganistan dhe nuk mund të ndahet nga problemet e tejzgjatura mbi sferat e ndikimit.
Pekini nuk ndihet rehat me rreth 100 mijë trupa amerikanë të stacionuar në kufij dhe me praninë e zgjeruar indiane në Afganistan. Këto e shqetësojnë së tepërmi. India është një prej kontribuesve më të mëdhenj të Afganistanit, në vend të 5-të pas Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, Japonisë dhe Kanadasë. New Delhi ka garantuar 1.2 bilionë dollarë për ndihmë lidhur me rikonstruksionin, duke përfshirë edhe fondet për ndërtimin e një parlamenti të ri në Kabul.
Këto vitet e fundit, Pekini ka thelluar marrëdhëniet e tij me fqinjët e Indisë, duke përfshirë Bangladeshin, Myanmarin (Birmaninë) dhe Pakistanin (madje kërkon të ketë ndikim edhe në Nepal, Sri Lanka etj). Tashmë, prej perspektivës së Pekinit, India duket se ka përcaktuar shmangien e këtij kordoni sanitar duke rilidhur nyjet e saj me Afganistanin.
Kohët e fundit, Pekini do të kishte dashur të shihte ndikimin e fuqive të huaja në Afganistan, të rritur kaq shumë, saqë mund të vazhdojë politikën e tij për ndërhyrje, duke ruajtur marrëdhëniet tregtare dhe duke shmangur ndërhyrjet politike.
Kina ka ndjekur këtë politikë me regjimet në vendet si: Irani, Sudani dhe Venezuela. Kjo lloj marrëdhënie do i përshtatet më së miri nevojave të dy kryeqyteteve. Pekini mund të vazhdojë të ndjekë axhendën e vet për të përkrahur tregtinë dhe për të luftuar grupet rebeluese, ndërkohë që Kabuli do të fitojë një partner serioz, afatgjatë që bën pak pyetje lidhur me korrupsionin dhe qeverisjen demokratike.
Në një kohë kur drejtuesit ushtarakë të Nato-s dhe ato amerikanë e marrin në konsideratë tërheqjen që do të nisë më 2011, ata mund ta lënë pas Kinën, e cila ka raporte më të forta rajonale dhe ndikuese. Ky nuk mund të ketë qenë qëllimi parësor i Kinës - ajo dëshiron të shohë një Afghanistan më të stabilizuar dhe me më pak përçarje në Xinjiang - por sigurisht që edhe kjo, është një anë e mirëpritur ndikimi.
Përktheu: Rudina Dahri