Marrëdhëniet me Greqinë, pronë private e Ramës
Edi Rama konfirmon miqësinë gjak-e-dhjamë me zyrtarët grekë, të cilët i telefonojnë njeri-tjetrit për çdo çështje dhe premtojnë zgjidhjen e mezi pritur. Ai nuk shqetësohet për sjelljen prej një shteti horr e shantazhist nga ana e Greqisë, e cila ndërhyn në mënyrë flagrante në punët e brendshme të Shqipërisë, por e trajton shtetin shqiptar si pronë private, jashtë të gjitha protokolleve, duke sinjalizuar për amatorizmin dhe konceptin antishtet të këtij kryeministri në ardhje. Dy ndërhyrjet private për toponimet dhe Përmetin duket sikur janë kryer prej grekëve, për të qerasur Edi Ramën me një staturë parakryeministrore
Edi Rama bëri lajm ditën e djeshme. Nuk ishte vetëm mbledhja më e shtrenjtë në 100 vite e Edi Ramës në Vlorë që bëri bujë. Më e rëndësishmja doli të ishte një komunikim i Edi Ramës me Athinë zyrtare për të hequr bllokadën në kufi. Një medie shumë e afërt me kreun e PS dhe kryeministrin në ardhje kishte në edicionin kryesor lajmin se, “Rama komunikon me Athinën zyrtare: Burime të mirinformuara në Athinë tregojnë se mes Edi Ramës dhe Athinës për çështjen e toponimeve, si edhe për krizën në Përmet ka patur nje komunikim intensive”. Sipas medias që fliste me gojën e Ramës, “Kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë i ka kërkuar mikut të tij të majtë Venizellos në Ministrinë e Jashtme heqjen e kufizimit për shqiptarët, deri në fund të shtatorit për ta zgjidhur pastaj përfundimisht këtë problem në rrugë bilaterale”.
Më një llaf sel se Thina zyrtare mezi kanë pritur të shihnin mikun e tyre në krye të punëve të vendit që të kishin dorë të lirë në cështjet tona bilaterale. Edi Rama po tregon rrënjët e tij të vërteta me këto sinjale që po jep në media. Ai nuk kërkon më t’i fshehë. Edi Rama ka dalë hapur në lidhjen intime më grekët, aq sa ka dorë të lirë të marrë në telefon ministrin e Jashtëm grek Venizeloz, vetëm sepse janë të majtë. Po ashtu ministri i tij i Jashtëm, Ditmir Bushati që bën ca replika të neveritshme për konsum të brendshëm.
Meqenëse Ditmir Bushati ka studiuar për ca vite në Athinë duhet t’u thotë mësuesve të tij grekë të shtojnë bashkëpunimet bilateral dhe të falënderojnë më shumë socialistin e gjeneratës së re. Internacionalja e majtë që do të vijë në krye të punëve të vendit do ta kthejë diplomacinë dhe dinjitetin e një shteti në logjikës e ca miqësirave personale dhe jo raporteve korrekte mes institucionesh. Kjo që po mëton të bëjë Edi Rama me Greqinë është shumë e rrezikshme. Padyshim kthimet masive të shqiptarëve në dy pikat kufitare me Greqinë, janë absurd dhe tregojnë fytyrën e vërtete të administratës greke. Falimentimi i shtetit grek vjen si pasojë e zyrtarëve shpirtvogël që përdorin çështjet e mëdha për ca gjëra të vogla të padobishme.
Është mësuar se pala greke iu përmendka shqiptarëve konfliktin e ditëve të fundit në ‘Përmet’ mes kishës ortodokse e Bashkisë së këtij qyteti, ndërsa për t’i kthyer, përdorin si justifikim se nuk kanë viza. Liberalizimi i vizave është për të gjithë vendet “Shengen” të BE, por si duket Greqia ka vendosur të mos jetë Europë, por si Azia e hordhive barbare që fut hundët në punët e brendshme të shtetit shqiptar. Dhe çfarë bën kryeministri në ardhje Edi Rama i telefon zyrtarëve grekë me paturpësinë më të madhe të mundshme. Mos njohja e shtetit dhe protokolleve të saj shtyjnë Edi Ramën të sillet me Shqipërinë dhe Shqiptarët sikur ti kishte pronë private. Sepse privatisht komunikon me zyrtarët Grek. Njohjen më grekët Edi Rama i ka që në fillim vitet ’90 kur në Tiranë fillonte lëvizja e dhjetorit të Studentëve, rastësisht Edi Rama gjendej në Selanik me ekskursione të gjata instruktore.
Sidoqoftë Edi Rama duhet të heqë dorë nga këto forma personalë të drejtimit të shtetit. Nuk është vonë të tregohet në lartësinë që i kanë besuar shqiptarët. Ky besim që i dhanë shqiptarë po tradhtohet nga veprimet amatoreske dhe thellësisht jo institucionale që dëshpërojnë edhe më shumë diplomacinë dhe rregullat e saj. Miqësia Internacionaliste e Edi Ramës dhe Venizellos nuk duhet të jetë imperativ kategorik i punëve të Shtetit shqiptar. Miqësia e byroistëve në Komintern ka mbaruar një herë e përgjithmonë.