E Shtunë, 31 Tetor 2026

PSE, D’Alema: Presim zgjedhje të drejta

Mbyllet takimi dy ditor i socialistëve europianë në kryeqytetin grek. Miratohet në unanimitet rezoluta “Europa është në duart e gabuara”

Socialistët europianë kërkojnë ndërhyrje më të madhe të faktorit ndërkombëtar, për situatën e krijuar në Shqipëri. Të majtët e mbledhur në Athinë kanë përfunduar tryezën dy ditore të diskutimit, në qendër të së cilës ishin zhvillimet më të fundit politike dhe ekonomike në Europë dhe më gjerë. Masimo D’Alema, siç publikon edhe e përditshmja greke, “Eleftherotipia”, ka deklaruar se Partia Socialiste Europiane mbështet Edi Ramën, duke ndarë së bashku shqetësimet e tij dhe se në problemet shqiptare duhet një impenjim i institucioneve europiane, përderisa vendi është kandidat për integrim në BE. PSE, thotë D’Alema, shpreson në kryerjen e zgjedhjeve të drejta në Shqipëri. Sakaq, i pyetur për Shqipërinë, Presidenti i eurosocialistëve Pol Rasmusen deklaroi se po ndjek me shqetësim zhvillimet e fundit, për të cilat është informuar më së miri nga kryebashkiaku i Tiranës dhe njëkohësisht kryesocialisti shqiptar, Edi Rama. Eurosocialistët, në deklaratat e tyre kanë shprehur edhe shpresën për kryerjen e zgjedhjeve të drejta e të ndershme në Shqipëri, pasi kanë dëgjuar shqetësimin e Edi Ramës për faktin se, sipas tij, zgjedhjet e 8 majit janë tërësisht të rrezikuara. Sipas kreut të socialistëve shqiptarë, “kriza në Shqipëri është e gjithanshme dhe nuk mund të zgjidhet, pa u larguar qeveria që ka vrarë katër demonstrues më 21 janar”. Ndërkohë, gjatë qëndrimit në Athinë, Edi Rama zhvilloi edhe një takim me emigrantë shqiptarë, që jetojnë në Athinë dhe qytete të tjera të Greqisë. Gjatë fjalës së tij, Rama akuzoi edhe njëherë qeverinë Berisha, për vrasjen e njerëzve të pafajshëm në demonstratën e 21 Janarit. Rama lëshoi kritika edhe për faktin që, sipas tij, qeveria po pengon me hetimin dhe po lufton institucionet e pavarura, mediat e pavarura dhe strukturat shtetërore që po hetojnë mbi tragjedinë e 21 janarit. Rama tha se e vetmja forcë politike, që mund të kapërcejë këtë situatë ku ndodhet vendi është Partia Socialiste. Ai garantoi sakaq, ndihmën e Partisë Socialiste, për krijimin e politikave të posaçme dhe ndërmjetësimin me Greqinë, për njohjen e viteve të punës. Presidenti i eurosocialistëve Pol Rasmusen, Sekretarja e Partisë Socialiste franceze, Martin Ombri dhe kryetari i Fondacionit të Zhvillimit Europian, Masimo D'Alema, në konferencën e përbashkët për shtyp, kanë pohuar se për krizën nuk e kanë fajin popujt e Europës, por qeveritë konservatore të saj. “Ne nuk duam që të lejojmë këtë krizë ekonomike të na ndajë, ne nuk duam që të lejojmë tregjet financiare të krijojnë hendeqe të rinj midis qytetarëve të Europës”, deklaroi presidenti eurosocialistëve, Rasmusen. Si shembull për frikën që duan të mbjellin konservatorët kudo në Europë, janë marrë Silvio Berluskoni në Itali, që përpiqet të fitojë kohë dhe të shmangë zgjedhjet, apo qeveria e Nikola Sarkozi në Francë. Duke u larguar nga kryeqyteti grek, Rasmusen ka theksuar se nuk duhet humbur shpresa dhe se në një botë kaq të pasigurt, janë socialistët ata që do të japin përgjigjen e duhur. Liderët e partive të majta miratuan ndërkaq edhe një rezolutë të quajtur “Europa është në duart e gabuara”, e cila gjithashtu mund të përkthehet në një alternativë premtuese të së majtës, përballë qeverisjeve të djathta në kontinent. “Qytetarët e Europës duhet të kuptojnë se ka një dallim të qartë, në mënyrën se si zhvillohet Bashkimi Europian. Plani ynë do të krijojë 8 milionë vende pune. Plani i konservatorëve, vetëm do të rrisë papunësinë. Qytetarët duhet të kujtojnë se nuk është faji i Europës, por është i shumicës konservatore”, thuhet në këtë tekst.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›