Marrëveshja detare, partitë ankimuese nuk kanë lidhje me objektin e trajtuar

Gjykata Kushtetuese hedh poshtë kërkesën e 6 partive të opozitës
Ashtu siç ishte parashikuar u konfirmua. Gazeta “55” për disa ditë me radhë, denoncoi veprimin e 6 partive politike të opozitës, të cilat me metodat e tyre ogurzeza, depozituan në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë ankimore, për çështjen e kufirit detar me Greqinë. Gjykata Kushtetuese ka kthyer në rrugë administrative kërkesën e 6 partive opozitare për plotësim dokumentacioni.
Në interpretimin e Gjykatës Kushtetuese, deklarohet se subjektet që paraqitën kërkesën duhet të argumentojnë se kanë lidhje me objektin që trajton kjo marrëveshje. Gjykata Kushtetuese, si organi më i lartë kompetent për gjykimin e përputhshmërisë së termave të kësaj marrëveshjeje me parimet dhe principet e ligjit themeltar të shtetit, Kushtetutën, ka kthyer në rrugë administrative për plotësim dokumentacioni kërkesën e gjashtë partive opozitare, për të vërtetuar legjitimitetin e tyre në një çështje të tillë.
Pas disa ditësh shqyrtimi në nivel kolegjesh, Gjykata Kushtetuese ka vendosur ndaj PS-ja, PDS-ja, PSD-ja, PDK-ja, G 99-a dhe PLD-ja për të ankimuar marrëveshjen “Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare, që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”, ose siç njihet ndryshe marrëveshja që bën ndarjen e kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë, se kanë mangësi dekomentacioni dhe njëherazi nuk argumentojnë lidhjen e tyre me objektin që trajton marrëveshja.
Trupa e gjyqtarëve që janë marrë me shqyrtimin e kësaj çështjeje kanë konfirmuar se bëhet fjalë për statutet dhe programet e këtyre forcave, mbi të cilat ato normojnë jetën e tyre politike dhe përcaktojnë parimet kryesore për realizimin dhe mbrojtjen e të cilave ato ekzistojnë.
Sipas ligjit të këtij institucioni, subjektet që kanë paraqitur kërkesën duhet të argumentojnë para gjykatës se ato kanë lidhje me objektin që trajton kjo marrëveshje dhe se në dokumentet e tyre themeltare duhet të kenë të sanksionuara mbrojtjen e territorit dhe sovranitetit të vendit, një element ky për të cilin gjashtë partitë i kanë kushtuar një rëndësi të veçantë në ankimimin e tyre.
Megjithatë, për të respektuar të drejtën e animimit, Gjykata Kushtetuese, për plotësimin e dokumentacioni, i ka lënë këtyre forcave afat deri më datë 9 nëntor.