Shqipëria dhe Bosnje-Hercegovina heqin detyrimin e vizave për shtetasit

Marrëveshja dypalëshe hyn në fuqi Hyn në fuqi marrëveshja midis Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës për përjashtimin reciprok nga detyrimi i vizave për të gjithë shtetasit e të dy vendeve. Kjo marrëveshje siguron përjashtimin nga detyrimi i vizës për të gjithë shtetasit e të dy vendeve të cilët janë mbajtës të pasaportave të zakonshme dhe dëshirojnë të hyjnë, të tranzitojnë ose të qëndrojnë në territorin e secilit vend Dje hyri në fuqi Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Këshillit të Ministrave të Bosnje-Hercegovinës mbi udhëtimet reciproke të shtetasve”. Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ralf Gjoni, u shpreh se nënshkrimi i kësaj marrëveshje, u mundësua më 24 mars 2009, si pjesë e angazhimit të qeverisë shqiptare për zgjerimin e hapësirave të komunikimit me vendet e rajonit dhe krijimin e mundësive për lëvizjen e lirë të shtetasve në këto hapësira. “Kjo marrëveshje siguron përjashtimin nga detyrimi i vizës për të gjithë shtetasit e të dy vendeve të cilët janë mbajtës të pasaportave të zakonshme dhe dëshirojnë të hyjnë, të tranzitojnë ose të qëndrojnë në territorin e secilit vend. Afati i qëndrimit nuk duhet t’i kalojë 90 ditët (3 muaj) brenda një afati prej 180 ditësh (6 muaj), sipas standardeve të Bashkimit Evropian”, tha zëdhënësi i Ministrisë. Sipas tij, kalimi nëpër pikat kufitare të hapura për lëvizjen ndërkombëtare ose ndërshtetërore do të bëhet pa taksa apo detyrime të tjera. “Kjo është një nga risitë e kësaj marrëveshje, e cila i përputhet dëshirës së të dy palëve për lehtësimin maksimal nga barrierat apo detyrimet, duke e përqasur praktikën e lëvizjes ndërmjet dy vendeve me praktikën e lëvizjes së shtetasve në hapësirën e BE-së”, shtoi Gjoni. Ndërkaq, shtetasit që për arsye familjare, studimi apo punësimi dëshirojnë të qëndrojnë në territorin e palës tjetër për një periudhë më të gjatë se ajo që i lejon të qëndrojnë pa vizë (90 ditë në 180 ditë), janë të detyruar të respektojnë legjislacionin e shtetit përkatës dhe të pajisen me vizë afatgjatë në përfaqësinë diplomatike/konsullore, ose të kërkojnë lejen e qëndrimit pranë autoriteteve kompetente. Kjo marrëveshje do të ndikojë pozitivisht në lehtësimin dhe rritjen e kontakteve ndërmjet shtetasve të dy vendeve dhe do të shërbejë për forcimin e marrëdhënieve në të gjitha fushat. Gjithashtu hyrja në fuqi e kësaj marrëveshjeje do të ndihmojë në arritjen e synimit të Shqipërisë dhe Bosnje-Hercegovinës për krijimin e një regjimi të lirë të lëvizjes së shtetasve të tyre në hapësirën evropiane. Për sa i takon numrit të qytetarëve që lëvizin midis dy vendeve dhe sidomos numri i qytetarëve shqiptarë që lëvizin drejt Bosnjës, Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Ralf Gjoni tha se janë disa mijëra qytetarë që lëvizin mes vendeve respektive, dhe me hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshjeje, pritet një rritje e madhe të fluksit të lëvizjes së qytetarëve dhe një rritje të shkëmbimeve tregtare, sidomos në fushën e turizmit dhe investimeve. “Mund t’ju them se së shpejti presim vizitën e një grupi të madh biznesmenësh nga Bosnje-Hercegovina, por patjetër që lëvizja e lirë pa viza, mundëson rritjen e fluksit të qytetarëve dhe shkëmbimeve tregtare”, u shpreh ai. Lidhur me procesin e lëvizjes së lirë me vendet tjera të rajonit, ai tha se po negociohet me palën serbe, për një arritur një marrëveshje reciproke të heqjes së vizave. “Me vendet tona fqinje, me Maqedoninë, Kosovën dhe Malin e Zi, siç e dini, regjimi i vizave është hequr dhe qytetarët shqiptarë mund të udhëtojnë të lirë pa pengesa. Ndërkohë për sa i përket Serbisë, po punohet për fillimin e negociatave midis dy vendeve për të arritur të njëjtat kushte siç i kemi edhe me vendet që përmenda më lart. Sigurisht që ne jemi të hapur që të fillojmë negociatat shumë shpejt dhe t’i mundësojmë qytetarëve të të dy vendeve lëvizjen e lirë, ashtu siç jemi të hapur të rrisim bashkëpunimin edhe në fusha të tjera”, konfirmoi Gjoni.
...