“Marrëveshja do të konkretizojë programin e qeverisë deri në vitin 2013”

Deklaron, kreu i LSI-së, Ilir Meta
TIRANE – Kreu i LSI Ilir Meta, e cilësoi marrëveshjen e nënshkruar me PD si në interes të të gjithë shqiptarëve, pasi me të do të realizohet programi i ri qeverisës. Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes qeverisëse me Partinë Demokratike dhe kryeministrin Sali Berisha, Meta u shpreh se prioritet e partisë që ai drejton, përputhen tërësisht me ato të PD-së, ndaj edhe qeveria e ardhshme do të jetë stabile dhe efiçente.
“Kam nënshkruar me kryetarin e PD-së, forca fituese e zgjedhjeve, një marrëveshje e cila tashmë është e hapur dhe transparente për të gjithë. Në thelbin e saj është një marrëveshje kuadër ku do të konkretizohet programi i qeverisë së ardhshme, pas konstituimit të parlamenti të ri. Shpreh kënaqësinë time për mirëkuptimin me Berishën dhe përfaqësues të tjerë të PD, lidhur me integrimin. Të gjithë e mbajnë mend këtë fushatë. Shumë nga prioritet tona përputhen dhe në këtë drejtim kjo është një marrëveshje që do t’u shërbejë të gjithë shqiptarëve. Jo vetëm garanton stabilitet dhe qëndrueshmi, por edhe reforma serioze, për të përshpejtuar integrimin e vendit”, u shpreh Meta.
Kreu i LSI-së, theksoi zotimin e kryeministrit Berisha, për hapjen e 160 mijë vendeve të reja të punës, në katër vitet në vijim, liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë brenda mandatit të parë qeverisës. Meta premtoi se në fund të mandatit katërvjeçar, qytetarët shqiptarë do ndjehen në pozicion të barabartë me ata evropiane. “Në fund të katër viteve të këtij mandati, shqiptarët do të jetojnë jo vetëm më të qetë dhe të sigurt se sot, por do të jenë në një pozicion tjetër me qytetarët evropianë. Do të kemi një sukses në të gjitha politikat sociale. Do të mundim varfërinë. Ky koalicion ka themele të sigurta, të cilat burojnë nga parime të shëndetshme, nga të cilat ai është i ndërtuar. Jam i bindur për funksionimin e tij. Do të funksionojë si koalicioni i integrimit evropian të Shqipërisë”, nënvizoi kreu i LSI-së Ilir Meta, gjatë nënshkrimit të marrëveshjes për bashkëpunim në qeverisje me kryetarin e PD-së dhe kryeministrin Sali Berisha.