Qeveria e mandatit të parë regjistroi shumë rekorde në kursin e reformave
Mbyll punën kabineti “Berisha 1”, Kryeministri falënderon ministrat për reformat madhore që drejtuan
TIRANE – Mbledhjen e fundit të kabinetit që drejtoi për katër vjet kryeministri Sali Berisha e rezervoi për të falënderuar anëtarët e qeverisë për kontributin dhe punën e bërë gjatë këtyre katër viteve, duke realizuar reforma të thella që shënuan ndryshime të mëdha pozitive në të gjitha fushat. Kryeministri Berisha e cilësoi këtë si një fund krenar, porsa u takon realizimeve madhore, të këtyre katër viteve. Kryeministri bëri një bilanc të shpejtë të arritjeve që shënuan sikurse tha ndryshimin më të madh për vendin. Por theksin, kryetari i qeverisë e vendosi pikërisht në kryeobjektivin e mandatit tashmë të përfunduar, integrimi i vendit në NATO.
“Ky është fund krenar, sepse sot ne mbyllim një mandat, pasi kemi realizuar realisht shumë më tepër, sesa kemi imagjinuar katër vite më parë. Sot, ne mbyllim mandatin, pasi ia dolëm që me reforma të thella e të gjithanshme të realizojmë anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut, të shndërrojmë në realitet një projekt ëndërr të kombit shqiptar. Ne mbyllim mandatin, pasi, me reformat tona në këto katër vite, shënuam ndryshimin më të madh pozitiv të këtij vendi dhe e bëmë ndryshimin një konstante të jetës së përditshme të shoqërisë shqiptare, qytetarëve të saj dhe vendit në tërësi”, u shpreh kryeministri.
Berisha theksoi se në katër vite, Shqipëria, që sundohej nga bandat e krimit, u bë një prej vendeve më të sigurta. Edhe lufta ndaj korrupsionit, shtoi kreu i qeverisë, u karakterizua nga rezultate pozitive, duke e kthyer atë në një betejë të suksesshme. “Kjo qeveri mund të marrë shumë vlerësime, por një prej tyre do të mbetet monumentale, kampione në reformat e saj në luftën kundër korrupsionit”, tha Berisha.
Berisha shtoi se në katër vite, vendi u bë tërheqës për investime të huaja, u shndërrua në superfuqi energjetike, u vendosën standarde të reja në klimën e biznesit, falë revolucionit fiskal u dyfishuan të ardhurat, u përmirësua ndjeshëm infrastruktura. Kryeministri nuk harroi projektin më të madh në rrugë, korridorin e kombit.
Duke u ndalur në fushën e drejtësisë, kryeministri tha se kjo fushë shënoi ndryshime të mëdha. Berisha tha se megjithëse në 2005 vendi ndodhej në prag të ndëshkimit ndërkombëtar mbi gjendjen e burgjeve, sot pas katër vitesh janë vendosur standarde të reja në këtë drejtim.
Berisha u ndal dhe në politikën e jashtme, e cila sikurse tha, shënoi në katër vjet dimensione të reja. Në analizën e tij kryeministri vlerësoi hapat e hedhur në çështje të integrimit, duke kujtuar momente kulmore si nënshkrimin e MSA, apo aplikimin për statusin e vendit kandidat në BE.
Kryeministri foli për bujqësinë ku u investuan të paktën 1.6 miliard dollarë. Ky sektor, siç tha Berisha shënoi përmirësim rrënjësor duke u shkëputur përfundimisht nga prapambetja. Kryeministri Berisha vlerësoi edhe arritjet në fushën e turizmit ku vetëm vitin që lamë pas u shënuan 2.7 milionë turistë.
Kreu i qeverisë nuk harroi pagat dhe pensionet, që shënuan në katër vjet, ritme rekord rritjeje falë të cilave 400 mijë shqiptarë u nxorën nga varfëria.
Analizën e tij kryeministri e shfrytëzoi edhe për të treguar se qeveria e re që do të drejtojë do të këtë një bazë të fortë, prej së cilës do të nisë punën. Emrat që qarkullojnë mediatikisht kanë zëvendësuar njërin apo tjetrin anëtar të kabinetit, por kryeministri e pa të udhës që në këto ditë të mbetura të mos zbardhë asnjë detaj të përbërjes së qeverisë së re.
Politika e Jashtme
Në këto katër vite, politika e jashtme shqiptare mori dimensione që nuk i ka pasur ndonjëherë. “Këto ishin vitet, kur një ndër problemet më madhore të kombit shqiptar, pavarësia e Kosovës, mori zgjidhjen më të shkëlqyer. Unë ju garantoj se kjo qeveri ka bërë detyrën e vet në mënyrën më të vendosur dhe efiçente. Sigurisht, pavarësia e Kosovës është vepër dhe meritë, në radhë të parë e para së gjithash, e qytetarëve dhe udhëheqjes politike të Kosovës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe miqve të mëdhenj të shqiptarëve, por qeveria përmbushi rolin e saj. Sikundër politika e jashtme e qeverisë shqiptare ishte politikë e suksesit të plotë. Dëshmi e saj është anëtarësimi i Shqipërisë në NATO”, u shpreh kryeministri.
Rruga Durrës-Kukës
“Këto katër vite, ne realizuam të paimagjinueshmen, korridorin e kombit, i cili është e do të mbetet vepra më madhore e punëve publike në historinë e vendit. E vlerësuar si një nga punët publike më të mëdha në botë, vetëm në 60 kilometrat e saj janë lëvizur dhera, shkëmbinj dhe gurë mbi 2.5 herë më shumë se në të gjithë kaskadën e Drinit.
Në katër vite, Shqipërinë e rrokullimës fiskale e shndërruam në vendin e lirisë më të madhe fiskale, në vendin, në të cilin revolucioni fiskal bëri që pothuaj të dyfishohen të ardhurat”, deklaroi midis të tjerave Berisha.
Reforma në sistemin e drejtësisë
“Në katër vite, u shënua një ndryshim jashtëzakonisht i rëndësishëm në fushën e drejtësisë. Shqipëria, e cila erdhi në vitin 2005, absolutisht, në prag të një dënimi ndërkombëtar për gjendjen katastrofale dhe mizore në burgjet e saj, me punën më serioze ka vendosur aty standarde krejtësisht të tjera”, vijoi Berisha.
Duke iu referuar Raportit të fundit të Komitetit të Këshillit të Evropës kundër torturës, Berisha tha se evidenton arritje të rëndësishme thelbësore në këtë fushë.
“Për të mos u ndalur këtu në një seri ligjesh të tjera që u miratuan, ndryshimet kushtetuese do të mbeten gjithmonë një kontribut madhor në reformën institucionale të vendit”, u shpreh Kryeministri.
Investimet në infrastrukturë
Kryeministri Sali Berisha deklaroi se Shqipëria ka sot një infrastrukturë krejt tjetër. “Por, tha kryeministri, ajo çka është më e rëndësishme është se i kemi të qarta të gjitha projektet për katër vitet që vijnë dhe e vërteta është se në katër vite ky vend do të jetë absolutisht tjetër”.
Mbrojtja e Mjedisit
“Qeveria shqiptare adoptoi këto katër vite standarde krejtësisht të tjera në mbrojtjen e mjedisit dhe në zhvillimin e qëndrueshëm të tij. Janë vendosur norma dhe ligje me një impakt shumë pozitiv për mjedisin dhe shëndetin. Gjithashtu, është bërë një decentralizim i shpejtë dhe i suksesshëm, si asnjëherë më parë. Mbi 700 hektarë pyje dhe kullota i kaluan qeverive vendore dhe kjo bëri që ato të kenë një patronazh dhe proces mbrojtjeje dhe zhvillimi më të mirë”, shtoi më tej Kryeministri.
Deklaron kryeministri Berisha
Shteti, garant i investimeve të huaja, ndëshkim për çdo falsifikator që i rrezikon ato
TIRANE – Krahas analizës, mbledhja e fundit e Këshillit të Ministrave parashikonte dhe një sërë vendimesh për miratim. Këtu kryeministri veçoi vendimin në favor të bizneseve të huaja dhe vendase që do t’i shpëtojë këto të fundit një herë e përgjithmonë nga ajo që Berisha e cilësoi, spiralja e falsifikatorëve të dokumenteve të pronësisë. Kryeministri tha se ka kërkuar nga ministri i Drejtësisë dhe drejtuesit e agjencive të Regjistrimit Kthimit dhe Kompensimit të pronave në vend, një ndërhyrje të shpejtë ligjore, sepse tentakulat e falsifikatorëve po rrezikojnë investimet në vend.
“Ndodh që një kompani serioze vjen dhe blen toka mbi bazën e të gjithë dokumenteve origjinale shtetërore të pronësisë, në një territor për të cilin nuk ka pasur asnjë koment më parë, por falsifikatori, sapo e merr vesh që kjo pronë private u shit, duke përdorur dokumente fals dhe avokatë të papërgjegjshëm, nis gjobat ndaj kompanisë që investon, hapin procese gjyqësore dhe pastaj shkojnë u thotë që me jep 50 mijë euro që unë të tërhiqem nga gjykata. Këto janë akte të shëmtuara të një bashkëpunimi mafioz të rrezikshëm për vendin”, u shpreh Kryeministri.
Më tej, Kryeministri Berisha theksoi se shteti, në mënyrë kategorike, duhet të jenë garant absolut për investitorët.
“Në rast se ekzistojnë probleme pronësie, ato do të zgjidhen midis palëve në gjyq dhe nuk kanë më asnjë tagër mbi investitorin. Shteti, në mënyrë kategorike, duhet të jenë garant absolut i kësaj. Gjithashtu, falsifikatori duhet të penalizohet rëndë për këtë tentativë”, u shpreh Kryeministri Berisha, duke shtuar se “ky vend, pas ajrit dhe ujit, më shumë se për çdo gjë tjetër ka nevojë për investime”.
Kryeministri Berisha theksoi se “me investitorin, shqiptar apo i huaj qoftë, nuk mundet të luhet”.