E Diel, 1 Nëntor 2026

Bastian: Kriza greke, ndikim në ngadalësimin e ritmeve të rritjes së Shqipërisë

Kriza greke rrezikon të ngadalësojë ritmet e rritjes së ekonomisë shqiptare.

Gjatë një leksioni publik, të organizuar nga instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare, studiuesi i ekonomisë, Jens Bastian tha se, ndikimet e krizës greke do të ngadalësojnë ritmet e rritjes ekonomike shqiptare, si dhe procesin e integrimit në BE.

Sipas tij, kriza financiare që po përjeton vendi fqinj, Greqia, ndikon edhe në zhvillimin social-ekonomik të vendit tonë. Pjesa më e madhe e emigrantëve shqiptarë gjenden në Greqi dhe të ardhurat prej tyre nga viti në vit kanë shënuar ulje. Rritja e papunësisë në Greqi ka bërë gjithashtu që, një pjesë e emigrantëve të kthehen në atdhe. Investimet greke në Shqipëri janë tkurrur në mënyrë drastike. Edhe pse, Shqipëria është i vetmi vend në rajon që shënoi rritje me 3,5% në 3-mujorin e parë të këtij viti, po shfaqen shenjat e para të ndikimit negativ në ekonominë e vendit për shkak të krizës greke. Në Greqi është rritur ndjeshëm papunësia, shumë emigrantë kanë ngelur të papunë dhe ata po kthehen në atdhe, ose po emigrojnë në vende të tjera në kërkim të punës. Janë ulur ndjeshëm të ardhurat nga remitancat dhe kjo rënie do të vazhdojë nëse kriza greke s’merr një zgjidhje të shpejtë. “Shqipëria dhe rajoni konsiderohen të dobëta në tregjet e kapitalit dhe kjo ka sjellë një ulje të investimeve të huaja, si dhe zhvlerësim të monedhës vendase”, u shpreh Bastian. Dekania e Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin Europian të Tiranës, Luljeta Minxhozi tha gjatë fjalës së saj se, qeveritarët shqiptarë duhet të mësojmë nga gabimet e Greqisë dhe të tregohen më të kujdesshëm në politikat makroekonomike, duke e mbajtur borxhin publik poshtë nivelit 60%. Në Greqi jetojnë dhe punojnë rreth 800 mijë emigrantë shqiptarë. Falimentimi financiar i vendit fqinj do të kishte pasoja dramatike për këta emigrantë, si dhe ndikime negative për ekonominë e Shqipërisë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›