Marrëveshja e ujërave, Kushtetuesja nis shqyrtimin
Gjykata Kushtetuese nisi dje shqyrtimin e kërkesës së Partisë Socialiste për marrëveshjen e ujërave territorialë Shqipëri-Greqi. Për më shumë se shtatë orë, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe palët paditëse e mbrojtësve janë ballafaquar mes tyre si dhe kanë dhënë sqarimet e duhura para trupit gjykues. Pas debatesh e argumentesh nga të dyja palët, Gjykata Kushtetuese e ka mbyllur këtë seancë të parë, që i kushtohet dëgjimit të palëve, ndërsa nuk është bërë publike asnjë datë se kur gjykata do të shprehet për këtë marrëveshje. Në fillim të seancës palët e interesuara u vunë në dijeni të një letre dërguar nga Presidenca. Në letër thuhet se kreu i shtetit nuk ka asnjë koment konkret për marrëveshjen dhe se ka besim në një gjykim të drejtë nga ana e anëtareve të Kushtetueses. Letra në fund ishte firmosur nga vetë Presidenti i Republikës, Bamir Topi. PS, e përfaqësuar nga Damian Gjiknuri dhe Saimir Tahiri, u kanë kërkuar gjyqtarëve të Kushtetueses të mos e pranojnë këtë marrëveshje duke argumentuar se marrëveshja cenon territorin ujor të Shqipërisë. Deputetët socialistë janë shprehur se Marrëveshja me Greqinë për përcaktimin e kufirit detar me Shqipërinë, e nënshkruar këtë vit është antikushtetuese, pasi fazat e përgatitjes së saj shkelin rëndë Kushtetutën. PS kërkoi që Ministria e Punëve të Jashtme të paraqesë protokollin e vitit 1958, që vendi ynë ka nënshkruar me Greqinë dhe protokollin e vitit 1997. Sipas PS, ky protokoll bën fjalë për kontrollin e përbashkët të kufirit. Po kështu PS vë në dukje se marrëveshja ka mungesë të plotë transparence dhe se qeveria nuk ka ofruar informacion për Paktin si dhe ka dizinformuar publikun. PS pretendon gjithashtu se në këtë pakt u anashkalua plotësisht roli i Presidentit. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e shtetit, pohojnë të kundërtën, se marrëveshja e përcaktimit të kufirit detar me Greqinë nuk e cenon sovranitetin territorial të Shqipërisë. Përfaqësuesja e Kuvendit e ka mbrojtur paktin me Greqinë në Kuvend. Sipas përfaqësueses së Kuvendit, PS nuk legjitimohet si subjekt, pasi deputetët e saj nuk janë betuar. Ndërkohë, përfaqësuesja nga Këshilli i Ministrave deklaroi në seancë në Gjykatën Kushtetuese rreth Paktit se kërkesa e PS nuk është e bazuar në ligj.