PD, nis rikonstruksioni i selisë para zgjedhjeve
ADI SHKEMBI
Pak javë para nisjes së fushatës elektorale, selia e Partisë Demokratike nis të rikonstruktohet. Afrimi i zgjedhjeve të 28 qershorit dhe nisja e mbledhjeve të kryesisë, të cilat do të organizojnë Kuvendin Kombëtar si dhe do të përcaktojnë listat e kandidatëve për deputetë, duket se kanë ndikuar për t’i dhënë një fytyrë tjetër selisë së PD-së. Prej gati 3 vjet e gjysmë, selia e PD-së ka qenë thuajse e boshatisur për shkak se krerët më të lartë të saj dhe sekretarët e dalë nga Kuvendi i para katër viteve, janë në poste të larta të administratës. Ditët e vetme kur në PD mund të gjendeshin zyrtarë të lartë ishin vetëm fundjavat, të cilat u shërbenin në të njëjtën kohë edhe militantëve për t’i takuar.
Rikonstruksioni
Prej gati një jave selia e demokratëve është kthyer në një godinë në rikonstruksion. Një rrjetë e zezë ka mbuluar pjesën ballore të saj, ndërkohë që për të hyrë brenda nëpërmjet derës kryesore, duhet të bësh shumë kujdes për të mos u përplasur me skelat e ngritura pranë saj. Burime nga PD-ja bëjnë të ditur se si pasojë e kohës së shkurtër që është në dispozicion deri në nisje të fushatës zgjedhore dhe rikthimit të mbledhjeve, do të rikonstruktohet vetëm fasada e PD-së dhe shkallët brenda godinës në të tre katet. Ndërkohë zyrat, përfshi edhe atë të Kryeministrit Berisha, e cila ndodhet në katin e tretë, nuk do të preken nga brenda. Aksesi në internet, i përkufizuar nga Kryeministri Berisha si një ndër premtimet e mbajtura në këtë mandat qeverisës, do të zgjerohet edhe në PD. Kështu burimet bëjnë të ditur se së fundi është vendosur sistemi wireless (internet nëpërmjet valëve të antenës), ndërkohë që në përfundim të rikonstruksionit do të shtrihen edhe kabllot që do të përçojnë internetin në të gjitha zyrat e PD-së. Firma e cila po kryen punimet për rikonstruksionin e PD-së duhet të përfundojë punimet brenda javës së parë të prillit.
Godinat e rikonstruktuara
Gjatë këtyre katër viteve janë rikonstruktuar thuajse të gjitha godinat kryesore të shtetit si dhe selia e Partisë Socialiste. Kështu punimet që u bënë në Presidencë detyruan kreun e shtetit që të zhvillojë të gjitha takimet zyrtare në Pallatin e Brigadave, ndërsa stafi i tij i ngushtë punonte në vilën qeveritare nr. 4 në periferi të Tiranës. Në të njëjtën kohë edhe selia e Kuvendit u përfshi nga punimet si jashtë saj ashtu edhe në ambientet e brendshme, përfshi këtu edhe zyrat e komisioneve parlamentare. Ardhja e Presidentit të SHBA-së, Xhorxh Bush në Tiranë në qershor 2007, bëri që edhe në Kryeministri të bëheshin rregullime në ambientet e brendshme. Ndërkohë që pas tetorit 2005 edhe selia e Partisë Socialiste mori një fytyrë të re, teksa kryetar të saj nuk kishte më Fatos Nanon, por Edi Ramën.