E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marrëveshja me Kroacinë deri në fund të vitit

Nga Express më 24 qershor 2011 në ora 13:50

Shefat e shteteve ose qeverive të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) të premten kanë kërkuar që të përfundojnë bisedimet teknike dhe që “drita jeshile” për hyrjen e Kroacisë në Union si vendi i 28 të jepet me siguri në korrik të vitit 2013.

BE ka bërë thirrje për përfundimin e negociatave për anëtarësimin e Kroacisë deri në fund të këtij muaji, në bazë të vlerësimeve të Komisionit Evropian me qëllim që marrëveshja për anëtarësim të nënshkruhet para fundit të këtij viti.

Në konkludimet nga ky takim thuhet se Kroacia duhet të vazhdojë me reforma sidomos në fushën e drejtësisë dhe të drejtave themelore.

Për këtë arsye, Kroacia do të jetë nën “mbikëqyrje specifike”, përkatësisht, siç e ka sqaruar më herët komisari evropian për Zgjerim Stefan Fyle, çdo gjashtë muaj do të verifikohet se si Zagrebi zyrtar po zbaton obligimet e marra.

Kroacia është vendi i parë në procesin e zgjerimit, të cilës BE-ka në fund të bisedimeve nuk ia ka saktësuar datën e hyrjes në familjen e madhe evropiane, ndërkohë që reformat e mëtejme të saj do të jenë nën vëzhgim të veçantë.

Vendimi që të ketë një mekanizëm të veçantë mbikëqyrës për Kroacinë, dhe pastaj edhe për secilin kandidat të ardhshëm për anëtarësim, është në pajtim me qëndrimin e shumicës së vendeve anëtare të BE-së se pas aderimit të Kroacisë, për disa kohë procesi i zgjerimit të “mbetet anash”, në mënyrë që të parandalohet ndonjë krizë e ngjashme me situatën në Greqi dhe disa vende tjera anëtare të eurozonës.

Kjo do të thotë se në të ardhmen nuk do të ketë mundësi të hyrjes në BE të vendeve, të cilat nuk janë stabile në aspektin politik dhe atë ekonomik.

Mbikëqyrja deri në vetë anëtarësimin, sipas diplomatëve evropian, do të ketë ndikim sidomos në reformat në ata sektorë, në të cilët Kroacia ka më së shumti probleme, si drejtësia, sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, të drejtat themelore njerëzore, konkurrenca e lirë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›