E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marreveshja me Serbine opozita kunder ne bllok

Opozita në Kosovë bëhet bashkë për të kundërshtuar marrëveshjet mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, të cilat i konsideron të dëmshme dhe të pazbatueshme në Kosovë. Tri partitë opozitare, Lidhja Demokratike, Vetëvendosja dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë mbledhur 40 firma për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme ku të diskutohet  për bisedimet dhe marrëveshjet e arritura me Serbinë.  

“Ne e kemi parë të arsyeshme, të domosdoshme që të kemi një seancë të jashtëzakonshme që të debatohet për këto konkluza dhe për rrjedhën e përgjithshme të zhvillimeve rreth bisedimeve”-tha Ismet Beqiri, Kryetar i Grupit Parlamentar të LDK-së.

“Qeveria e Kosovës e ka obligim edhe ligjor, edhe kushtetues por edhe moral që t’i informojë deputetët e Kuvendit ët Kosovës dhe qytetarët për atë se çka përmbajnë këto marrëveshje dhe të raportojë për to”-u shpreh Visar Ymeri, Kryetar i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes.

“Kuvendi është populli i Kosovës, është përfaqësuesi i popullit dhe jo dikush tjetër. Çfarëdo biseda, negociata dhe marrëveshje që bëhen në emër të popullit të Kosovës nuk duhet të bëhen pa e ditur populli i Kosovës”-theksoi Ardian Gjini, Shef i Grupit Parlamentar të AAK-së.

Në anën tjetër Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka mbështetur marrëveshjet e arritura ndërsa konsideron se dialogu është mënyra më e mirë për zgjedhjen e problemeve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Kemi shumë problem të cilat janë të pazgjidhura dhe të cilat duhet të zgjidhen në mes të Kosovës dhe Serbisë. Është shumë e natyrshme se pa bisedime asnjë çështje asnjë problem as nuk ka gjetur zgjidhje e as nuk mund të gjejë zgjidhje”-tha Adem Grabovci, Kryetar i Grupit Parlamentar të PDK-së.

Kuvendi dhe Presidentja janë njoftuar me marrëveshjet e arritura pesë ditë me vonës. Madje, Kryeparlamentari Krasniqi i PDK-së së Thaçit ka kundërshtuar marrëveshjet e arritura, duke thënë se Qeveria ka hequr dorë nga disa elemente të shtetësisë, në momentin kur ka marrë zotimin për t’i respektuar konkluzionet që kanë dalë nga tri marrëveshjet me palën serbe.

Bul Salihu

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›