Marrëveshja për armatim Rusi-SHBA finalizohet së shpejti?
Ministria e Jashtme e Rusisë ka theksuar sot se negociatorët rusë dhe amerikanë mund të finalizojnë brenda disa javësh marrëveshjen e re për reduktimin e armatimit bërthamor.
Rusia dhe SHBA-ja janë duke negociuar marrëveshjen pasardhëse të Traktatit për Reduktimin e Armëve Strategjike (START), që është nënshkruar në vitin 1991 dhe afati i së cilës ka skaduar më 5 dhjetor të vitit të kaluar.
Dy shtetet kishin shpresuar se marrëveshja do të arrihej para përfundimit të vitit të kaluar, por dallimet nuk u eliminuan me kohë dhe zyrtarët nuk kanë dashur të flasin për afate kohore të arritjes së marrëveshjes.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Igor Frolov, deklaroi dje se bisedat mund të kompletohen brenda disa javësh.
Ai theksoi se kanë qenë të suksesshme konsultimet, të cilat u zhvilluan javën e kaluar, gjatë vizitës në Moskë të shefit të shtabit të bashkuar të shefave të ushtrisë amerikane, admiralit Mike Mullen dhe gjeneralit në pension, Jim Jones, i cili është këshilltar për siguri kombëtare i presidentit amerikan, Barack Obama.