Davos, rikthimi i bankierëve
Këtë herë për të sulmuar planin “Obama”
Presidenti kërkon të kufizojë dhe ndryshojë funksionimin e Wall Street-it
Për thuajse një javë, Wall Street do të transferohet në malet e Zvicrës, për të marrë pjesë në forumin e përvitshëm të Davosit. Duket se ky forum do t’i ofrojë mundësinë ideale lobit pro-bankar për të ndërmarrë ofensivën kundër rregullave të reja bankare që kërkon të vendosë Obama. Në forumin mes maleve me borë do të bëhen bashkë njerëzit e financës së lartë me qeveritarët dhe liderë të ndryshëm botërorë në një moment kyç, pikërisht kur administrata e Obamës kërkon që të vendosë ndaj bankave rregulla të rrepta e kufizuese. Në qendër të goditjeve të bankierëve të Wall Street-it do të jetë plani i hartuar nga ish-shefi i Rezervës Federale, Paul Volcker. Ky plan do të diskutohet e kritikohet në mbledhje e takime të shumta. Takimi i Davosit, një ritual vjetor tashmë, shënon rikthimin në skenën e madhe të shefave të mëdhenj të korporatave dhe superbankierëve, të cilët një vit më parë, pikërisht në këtë kohë, po lëpinin plagët e shkaktuara nga kriza financiare dhe sigurisht vjet nuk ia kishin ngenë këtij takimi mondan. Në Shtetet e Bashkuara, Bush sapo kishte aktivizuar paketën shpëtimtare prej 700 miliardë dollarësh nga paratë e taksapaguesve që nxorën shumë banka nga gjendja fatale, ndërsa në Europë qeveri të ndryshme po tentonin me ç’të mundeshin për të shpëtuar ndërmarrjet më të mëdha të vendit nga një faliment e katastrofë e sigurt. Islanda thuajse kishte falimentuar si shtet. Për bankierët, janari i vitit 2009 nuk ishte aspak momenti i duhur për të bërë sfilatë pushteti në Davos. Disa prej tyre ishin në prag të dhënies së dorëheqjes nën presionin e administratave të shteteve përkatëse. Mbi të tjerë rëndonte pesha e hetimeve dhe akuzave të komisioneve parlamentare. Por edhe për të tjerët në gjendje disi më të mirë nuk ishte e udhës që të shfaqeshin në Davos me avionët e tyre privatë e të shtrenjtë në një kohë shumë të trazuar. Por për 12 muaj gjithçka duket se ka ndryshuar për mirë, ose të paktën ky është mendimi “i tyre”.
Lista e të pranishmëve në forumin ekonomik të Davosit, që do të çelet sot, është interesante. Aty ndodhet administratori i deleguar i “Citi Group”, presidenti i bankës britanike “Barclays”, Robert Diamond. “Bank of America”, që nuk dërgoi asnjë përfaqësues vjet, do të dërgojë këtë herë shefin e saj të ri ekzekutiv, Brian Moynihan. Do të jenë të pranishëm gjithashtu edhe presidentët e “Morgan Stanley”, “Deutsche Bank”, “Goldman Sachs”. Në ndryshim me vitin e kaluar, asnjë nga përfaqësuesit e bankave dhe institucioneve të mëdha financiare nuk e kanë gjykuar të rrezikshme këtë dukje të tyre në forum për sa i përket imazhit. E të mendosh se indinjata dhe inati i njerëzve ndaj sërës së bankierëve lakmitarë nuk është se është ulur. Javën e kaluar, Wall Street njoftoi ndarjen e bonuseve dhe shpërblimeve rekord për shefat e lartë ekzekutivë të bankave të mëdha të investimeve. Në tërësi, bankierët amerikanë do të derdhin në xhepat e tyre në formë shpërblimesh plot 150 miliardë dollarë, sigurisht si një çmim për fitimet e mëdha që nxorën vitin e kaluar, menjëherë sapo kaluan ditët e krizës me paratë e taksapaguesve. Rezultate që nuk do të ishin arritur kurrë pa ndërhyrjen e shtetit dhe paratë e derdhura nga ana e bankave qendrore. Por vetë bankierët nuk perceptojnë ndonjë problem me imazhin e tyre tashmë që ndihen të sigurt edhe njëherë pas fazës së parë të krizës. E sigurisht që për të udhëtuar drejt Zvicrës mund të përdoren edhe avionët personalë. E ndërkohë që në Davos do të diskutohet për paratë, meqë ra fjala, do të zihet në gojë edhe situata emergjente në Haiti. Për bankierët interesi i forumit është i dukshëm. Në të do të marrin pjesë 30 krerë shtetesh e qeverish, guvernatorë bankash dhe autoritete të tjerë të lartë të financave dhe tregtisë. është pra rasti ideal për të lançuar ofensivën kundër planit të Obamës për t’i vënë fre lakmisë dhe oreksit të Wall Street.
#