E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parlamentarët francezë, kundër mbulimit të grave

Një raport i posaçëm rekomandon ndalimin e mbajtjes së shamisë nga myslimanet
Një komision parlamentar francez ka rekomanduar ndalimin e pjesshëm të mbajtjes së shamisë nga gratë myslimane në Francë. Raporti rreth 200-faqësh i këtij komiteti ka propozuar ndalimin e përdorimit të shamisë nëpër spitale, shkolla, zyra të qeverisë dhe në transportin publik. Ai gjithashtu rekomandon se të gjithë ata që shfaqin shenja të qarta të praktikave radikale fetare, nuk duhet të marrin dokumentet e qytetarisë, apo lejet e qëndrimit në Francë. Sipas Ministrisë së Brendshme në Francë, rreth 1900 gra myslimane mbajnë një veshje kokë e këmbë të mbuluara. Në raport kërkohet që gratë të cilat mbulojnë kryet janë në kundërshtim me parimet e sekularizmit të Republikës Franceze, si dhe ato të barazisë. “Veshja e një shamie që e mbulon femrën nga koka te këmbët është e papranueshme. Ne duhet që ta dënojmë këtë akses”, thuhet në raport. Komisioni i ka bërë thirrje Parlamentit Francez që të adoptojë një rezolutë formale në të cilën të thuhet se veshja e shamisë bie në kundërshtim me vlerat e republikës. Në prezantimin që i bëri raportit në Asamblenë Kombëtare, kreu i saj tha se përdorimi i shamisë ka shumë konotacione negative. “Ajo është simbol i represionit të grave dhe i ekstremizmit feudalist dhe fondamentalist. Kjo mënyrë është një akt mohues i barazisë mes burrit dhe gruas, dhe një refuzim i ekzistencës krah për krah mes të dy gjinive, të drejta këto pa të cilat republika jonë nuk do të kishte vlerat për të cilat njihet”. Raporti pritet që të pasohet nga një projektligj dhe një debat parlamentar në lidhje me këtë çështje. Sipas disa analistëve, arsyeja e vërtetë e raportit është shndërrimi i mundësisë së veshjes së një shamie në pamundësi për gratë që marrin pjesë në administratën shtetërore, apo që janë në biznese e punë të caktuara në publik. Por ndërkohë ekziston edhe frika që një ndalim i menjëhershëm i shamisë të mos realizohet dhe përkundrazi te ketë reagime negative deri në atë masë sa ta shndërrojnë Francën në një objektiv për terrorizëm. Aktualisht në Francë jetojnë rreth 5 milionë myslimanë që përbëjnë edhe popullatën më të madhe myslimane në Perëndim. Raporti i sapopublikuar pason muaj të tërë debatesh publike, përfshi këtu edhe ndërhyrjen e Presidentit të vendit, Sarkozi, përmes deklaratës së tij se “përdorimi i shamive nuk është i mirëpritur në Francë”. Megjithatë, ai në ndërhyrjen e tij nuk kërkoi specifikisht një ndalim të përdorimit të kësaj veshjeje nga ana e grave myslimane që jetojnë në Francë. Sondazhet e bëra në opinionin publik sugjerojnë se një shumicë e madhe e francezëve janë kundër përdorimit të shamisë, megjithatë deputetët e Parlamentit kanë rekomanduar që për momentin të kufizohet vetëm përdorimi i tyre dhe të mos shkohet në masa ekstreme. Komisioni në fakt sugjeron një ndalim vetëm brenda godinave publike dhe nëse ky rregull do të thyhet, atëherë atyre që e thyejnë do t’u refuzohen të gjitha kërkesat për shërbime publike. Në fakt ekzistojnë disa lloje të mënyrës së të mbuluarit, duke filluar që nga veshja e tërë trupit e mbulimi i fytyrës, e deri te shamia e thjeshtë e kokës. Në Francë versioni më i përdorur është ai i niqabit, ose i mbulimit tërësor të fytyrës, i cili lë jashtë vetëm sytë. Burka ndërkohë mbulon vetëm flokët, duke lënë jashtë tërë fytyrën. Por kjo çështje ndërkohë ka krijuar dasi edhe në partitë politike. Opozita socialiste ka dalë kundër çdo lloj ndalimi zyrtar, duke deklaruar se zbatimi i një ligji të tillë ndalues do të ishte shumë i vështirë dhe kundërproduktiv. Ajo thotë se është kundër përdorimit të shamisë së tërë.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›