Tajvani tendos marrëdhëniet Kinë-SHBA
Kontaktet me ushtrinë e Kinës me gjasë do të jenë të parat që do të vuajnë, nëse Pekini ndërmerr hapa, për të reaguar ndaj shitjes së armatimit amerikan Tajvanit, një nga grindjet që po tendosë marrëdhëniet mes Pekinit dhe Wshingtonit.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Ma Zhaoxu, tërhoqi vërejtjen se administrata e Barack Obamës po rrezikon dëmtimin e marrëdhënieve me Kinën, nëse qëndron prapa marrëveshjes për shitjen e armatimit Tajvanit, përfshirë këtu edhe helikopterët Black Hawk dhe raketat Patriot.
“Sërish kërkojmë nga SHBA-ja që të kuptojë ndjeshmërinë e shitjes së armatimit Tajvanit. Dështimi që shitja të ndalet do të dëmtojë interesat më të gjëra të bashkëpunimit SHBA-Kinë”, tha Ma.
Komentet e Masë u përsëriten edhe nga Zyra e Kabinetit për çështje të Tajvanit, e cila trajton kontaktet me Tajvanin, vend ky i cili nga Pekini konsiderohet si provincë separatiste.
“Kundërshtimi ynë ndaj shitjes së armatimit Tajvanit është i qartë”, deklaroi zëdhënësi i zyrës, Yang Yi.
Shitja e armatimit Tajvanit kërkohet me ligjin amerikan, i cili obligon Washingtonin që të sigurohet se Tajvani është në gjendje të mbrohet nga kërcënimet e Kinës, përfshirë këtu edhe nga mbi 1 mijë raketat balistike, të cilat Kina i ka drejtuar kah ishulli.