Marrëveshja për kufinjtë, Paviçeviç: Do zbatohet, por "me ndryshime"

Shefi i ekipit negociator të Beogradit për bisedime me Prishtinën, Dejan Paviçeviç, ka deklaruar sot se me shkëmbimin e letrave me Komisionin Evropian, Serbia ka konformuar se pranon Marrëveshjen për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (IBM).
"Në përputhje me atë që është marrë vesh kryenegociatori paraprak, Borisllav Stefanoviç, i kam dërguar letër përfaqësueses së lartë, Catherine Ashton, me të cilën kam konfirmuar se Qeveria e Serbisë pranon protokollin teknik për menaxhimin e integruar të kufirit", ka thënë Paviçeviç për mediat serbe.
Ai ka thënë se zbatimi i saj do të nisë menjëherë dhe atë "me formimin e grupeve punuese".
"Përmes grupeve punuese do të përpiqemi që disa zgjidhje t`i ndryshojmë, t`i përmirësojmë dhe t`i bëjmë më pak problematike, përkatësisht më të pranueshme për Serbinë”, ka deklaruar Paviçiviç.
Prishtina dhe Beogradi kanë arritur Marrëveshjen për Menaxhimin e Interguar të Kufirit në muajin shkurt, në kuadër të dialogut në Bruksel.
Kjo marrëveshje dhe ajo për përfaqësimin e Kosovës në forumet rajonale i kanë hapur rrugën Serbisë që të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.