E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marrëveshja për kufirin, kosovarët protestojnë

PRISHTINE- Banorët e fshatit Debellde në Kosovë kanë paralajmëruar për neser një protestë kundër marrëveshjes kufitare me Maqedoninë.
Zona e quajtur “Kodra e Furrës” që llogaritët si pika më gjeostrategjike në mes kufirit Kosovë-Maqedoni, ende nuk është e qartë se në cilin territor do të kalojë me marrëveshjen për ratifikimin e kufirit mes këtyre dy vendeve. Ndërsa në Maqedoni flitet që kjo pikë t’i ketë kaluar Kosovës, banorët e zonës kufitare shprehin shqetësimin se sipërfaqja prej 22 hektarësh të pronave private që u kalojnë në territorin maqedonas sipas marrëveshjes, janë tek kjo zonë.
Banorët kosovarë kërcënojnë me radikalizëm të veprimeve kundër kësaj marrëveshje. Ndërkohë ka paqartësi në media pasi detajet e marrëveshjes nuk janë botuar. Baza e demarkacionit kufitar Kosovë-Maqedoni është vendosur në marrëveshjen e fshehtë të 22 shkurtit 2001, mes Beogradit dhe Shkupit,e cila i jep Maqedonisë 2500 hektarë tokë e kullota.

Por demarkacioni në terren thuhet se është rikompozuar, ndërkohë që nuk dihet se është respektuar marrëveshja e vitit 2001. Kosovarët më parë kanë kërkuar që kjo marrëveshje të shqyrtohet nga Gjykata e Hagës, ndërkohë që ajo sapo është ratifikuar nga parlamentet e të dy vendeve, Kosovë e Maqedoni. (e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›