E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marrëveshja për zonat zgjedhore, kthim në pikën zero

Marrëveshja e liderëve të partive politike rreth reformës zgjedhore, sipas së cilës Kosova do ta ketë vetëm një zonë zgjedhore, nga monitoruesit e zgjedhjeve, konsiderohet si kthim në pikën zero. Përfaqësues të KDI-së dhe Demokracisë për Zhvillim thonë se kjo është në kundërshtim me marrëveshjen e prillit të vitit 2011, ku liderët politik ishin pajtuar që Kosova të ketë më shumë zona zgjedhore, transmeton RTK.

Pajtimi i liderëve politik që Kosova të ketë vetëm një zonë zgjedhore nuk është vlerësuar nga përfaqësues të organizatave që monitorojnë zgjedhjet. Driton Selmanaj nga KDI, thotë se liderët politik nuk e kanë zhbllokuar reformën, por janë kthyer në fillim të procesit. Sipas tij, sepse rezoluta e Kuvendit për reformë zgjedhore e vitit 2011, rekomandon që Kosova duhet të ketë më shumë zona zgjedhore:

“Ne, nëse kthehemi tani në atë pikë ku ka qenë me një zonë zgjedhore ashtu ku ka qenë Kosova, atëherë jo vetëm që jemi kundër marrëveshjes, por jemi edhe kundër aspiratave për reformë zgjedhore. Nuk mund të quhet reformë nëse kemi vetëm disa ndryshime krejtësisht teknike të ligjit. Por, përmbajtja e saj do të ishte që të ndryshohej zona zgjedhore, të ndryshohej pragu, të ndryshohej përbërja e KQZ, assesi të mos diskutohej mbyllja e listave”, ka thënë Selmanaj.

Edhe Leon Malazogu nga Instituti Demokraci për Zhvillim, konsideron se fakti që janë pajtuar për një zonë zgjedhore nuk do të thotë shumë për Kosovën, sepse është një pikë fillestare që i kufizon opsionet tjera.

Ndryshe, në ditët e ardhshme pritet të diskutohet për listat e hapura apo të mbyllura, për pragun zgjedhor, për ulëset e rezervuara të komuniteteve dhe për përbërjen e Komisionit Qendror Zgjedhor./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›