E Diel, 1 Nëntor 2026

Marrëveshja, pesë institucione në gjurmim të parave të pista

Dje u nënshkrua marrëveshja mes ILDKP-së dhe katër institucioneve. Shqipëria konsiderohet një vend me parandalim të ulët të këtij fenomeni

Habjon Hasani

Tiranë - Duket se problemet e mëdha në kontrollin shtetëror mbi infiltrimin e pareve të pista kanë vënë në lëvizje strukturat shtetërore. Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive të Nëpunësve Shtetërorë ka vendosur të bëjë aleat në luftën kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik edhe Avokaturën e Shtetit. Mes këtij institucioni, Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave, asaj të Tatimeve, Drejtorisë së Policisë dhe Avokaturës së Shtetit, është nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi. Rinovimi i marrëveshjes së bashkëpunimit në luftën kundër pastrimit të parave dhe konfliktit të interesit nga ana e zyrtarëve të lartë ka lënë jashtë organin e Prokurorisë. Disa dhjetëra raste me emra të zyrtarëve të lartë të administratës janë dërguar në prokurori për hetim nga ana e Inspektoratit, por në asnjë rast Prokuroria nuk ka nisur procedim ndaj tyre. Kreu i ILDP-së Adriatik Llalla, i DPPPP-së Arben Doçi, ai i Tatimeve Artur Papajani, Avokati i Shtetit Eduard Halimi, si dhe drejtori i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, nënshkruan të hënën Memorandumin e Bashkëpunimit kundër evazionit fiskal dhe krimit ekonomiko-financiar.
Marrëveshja
Në fjalën e tij, kreu i Inspektoratit, Adriatik Llalla, vlerësoi angazhimin e këtyre institucioneve dhe u rikujtoi subjekteve deklaruese se 31 marsi është afati i fundit për deklarimin e pasurive të tyre. Në bazë të memorandumeve, Inspektorati i Lartë angazhohet t’u afrojë institucioneve informacione dhe praktika në rast të zbulimit të shkeljeve ligjore nga subjektet deklaruese apo të dyshuara për evazion fiskal ose pasuri të fituara si rrjedhojë e krimit ekonomiko-financiar. Ndërkohë, institucionet, si ai i Parandalimit të Pastrimit të Parave (DPPPP), angazhohen në marrjen e masave për sigurimin e provave, për investigim brenda dhe jashtë territorit të Shqipërisë. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, siç parashikohet edhe në Memorandum, angazhohet për përshpejtimin e procedurave ligjore në rastet e verifikimit të pasurive të fituara nga fshehja e detyrimeve fiskale për subjektet që mbartin detyrimin për deklarimin e interesave private.
Policia
Policia e Shtetit angazhohet për të mbështetur në terren grupet e investigimit të Inspektoratit të Lartë, ndërsa Avokatura e Shtetit merr përsipër që, në bashkëpunim me ILDKP-në, të ndjekë rastet e pavlefshmërisë së akteve dhe kontratave administrative, nxjerrë në kushtet e konfliktit të interesave, si dhe zbatimin e procedurave ligjore për rregullimin e pasojave juridike të tyre. Nënshkrimi i këtyre Memorandumeve është pjesë përbërëse e strategjisë së Inspektoratit të Lartë për forcimin e mekanizmave dhe kapaciteteve investiguese, të cilat pritet të japin brenda një kohe të shkurtër rezultatet e pritshme nga publiku dhe të gjithë faktorët e jetës sociale, ekonomike e politike në vendin tonë. Pak kohë më parë, Ministria e Financave nxori një udhëzim që impononte shtrëngimet e mëtejshme në deklarimet tatimore të bizneseve. Në kulmin e deklarimeve tatimore për bizneset hyri në fuqi udhëzimi i ri i Ministrisë së Financave për modelet e reja të deklarimit të gjendjes së bizneseve. Ky është një udhëzim që është hartuar në bashkëpunim me Drejtorinë e Parandalimit të Pastrimit të Parave. Qëllimi i këtij udhëzimi është rregullimi në mënyrë të hollësishme i mënyrave dhe procedurave për raportimin nga organet tatimore dhe shkëmbimit të informacionit midis Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, në cilësinë e autoritetit përgjegjës. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të mbajë informacionin lidhur me tatimpaguesit.

31 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›