E Diel, 1 Nëntor 2026

Llalla, apel zyrtarëve: Dorëzoni deklaratat e pasurisë, nesër afati i fundit!



Inspektori i Përgjithshëm i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Adriatik Llalla, u ka bërë apel të gjithë zyrtarëve të shtetit që të dorëzojnë në kohë deklaratat e tyre të pasurisë. 31 marsi është afati i fundit i dorëzimit të deklaratave të pasurisë dhe Llalla ka nxituar ta bëjë këtë apel në drejtim të zyrtarëve, në mënyrë që ata të mos i shmangen deklarimit të pasurisë. Këtë deklaratë, shefi i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e ka bërë gjatë ceremonisë së nënshkrimit të memorandumeve me katër institucione në kuadër të luftës kundër evazionit fiskal dhe korrupsionit ekonomik. Kështu, kryeinspektori Llalla ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me drejtorin e Përgjithshëm të Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, Arben Doçi; me drejtorin e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Artur Papajani; me Avokatin e Përgjithshëm të Avokaturës së Shtetit, Eduard Halimi, si dhe me drejtorin e Përgjithshëm të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, Ahmet Prençi. Memorandumi i bashkëpunimit midis këtyre katër institucioneve nënkupton mbledhjen, zhvillimin dhe analizimin e informacionit që do të shkëmbehet në lidhje me fshehjen e interesave private dhe pasurore, korrupsionin, krimin ekonomik, evazionin fiskal apo të aktiviteteve të jashtëligjshme që lidhen me to. Me Avokaturën e Shtetit, ILDKP-ja nënshkruan për herë të parë një marrëveshje të tillë, ndërsa me tre institucionet e tjera, Inspektorati i rinovon Memorandumet e mëparshme si rrjedhojë e ndryshimeve që janë kryer në ligjet organike të këtyre institucioneve. Në fjalën e tij pas firmosjes së Memorandumeve, inspektori i Përgjithshëm i ILDKP, Llalla, e vlerësoi maksimalisht angazhimin e institucioneve për bashkëpunimin e ngushtë ndërinstitucional. Po ashtu, u rikujtoi subjekteve deklaruese respektimin e afatit ligjor për deklarimin e interesave private periodik/vjetor, i cili përfundon më 31 mars, si dhe theksoi: “Mekanizma të tilla të shkëmbimit të informacionit dhe të të dhënave, siç parashikohet në Memorandumet e nënshkruara sot me këto struktura përgjegjëse antikorrupsion, do të krijojnë mundësi të tjera investigimi nga ana e Inspektoratit të Lartë, që padyshim do të krijojnë hapësira më të gjera për zbulimin dhe ndëshkimin e rasteve abuzive”.E

31 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›