E Diel, 1 Nëntor 2026

Marrëveshja polici-ujësjellës, aksion për lidhjet e paligjshme

TIRANë- Policia e Tiranës do të mbështesë ndërmarrjen e Ujësjellës-kanalizimeve në aksionin për prerjen e lidhjeve të paligjshme në rrjet. Drejtuesit e këtyre institucioneve kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit. Aksioni pritet të përmirësojë furnizimin me ujë të pijshëm të banorëve të kryeqytetit.

“E gjithë kjo marrëveshje do të na mundësojë dhe do të na lehtësojë punën, duke na mbështetur në aksionin tonë, që do të jetë një aksion i vazhdueshëm për pastrimin e linjave të transmetimit, të linjave të shpërndarjes nga lidhjet e paligjshme, të bëra nga ata që abuzojnë dhe e keqpërdorin ujin e pijshëm. Natyrisht që ky është edhe lajm i mirë për qytetarët e Tiranës, pasi me këtë aksion iu mundësojmë atyre që me aq sa konsumojnë të kenë një furnizim akoma më të mirë” – u shpreh drejtori i OSSH, Sahit Dollapi.

Gjithashtu kjo marrëveshje garanton, se kur punonjësit e policisë gjatë kryerjes së detyrës për mbështetjen e punonjësve të ujësjellësit hasin në veprime të kundraligjshme apo të dhunshme nga ana e qytetarëve që kanë bërë lidhjet e paligjshme në rrjet, sipas rastit do të bëjnë shoqërimin e tyre në komisariat për të kryer veprime të mëtejshme proceduariale.
(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›