E Diel, 1 Nëntor 2026

Marrëveshja ushtarake Shqipëri-Kosovë ngre shqetësime në Serbi

Nënshkrimi i marrëveshjes së statusit të forcave midis Kosovës e Shqipërisë, premton të rrisë bashkëpunimin midis të dy vendeve, por kjo ka ngritur “shqetësime sigurie” në Serbinë fqinjë. 

Marrëveshja Kosovë-Shqipëri, e nënshkruar më 1 korrik, rregullon marrëdhëniet midis vendeve mbështetur në standardet e NATO-s, procedurat e hyrjes e të daljes së pajisjeve e personelit ushtarak në secilin shtet, si dhe vendosjen e përkohshme dhe statusin e personelit civil.

Ndërsa as Kosova as Shqipëria nuk kanë dërguar pajisje apo personel te njëra-tjetra përveç oficerëve shqiptarë që shërbyen në misionin e KFOR-it, marrëveshja krijon një kuadër ligjor që do të lejojë një lëvizje të tillë.

Si Tirana, ashtu edhe Prishtina, thonë se marrëveshja nuk kërcënon ndonjë vend tjetër, por zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vucic, e quajti atë një "problem shumë të rënd”. Vucic shtoi se Beogradi do të këshillohet me BE e zyrtarë të tjerë.

Milovan Drecun, kryetar i komitetit të parlamentit serb për Kosovën, thotë për SETimes: "Kjo marrëveshje midis Kosovës e Shqipërisë tregon pretendimet e mëdha shqiptare e mund të kërcënojë sigurinë e popullit serb në Kosovë”.

Analisti e autori ushtarak, Miroslav Lazanksi, tha se marrëveshja është një provokim drejtuar Serbisë.

"Marrëveshja u jep mundësi forcave të armatosura shqiptare të vendosen në Kosovë, që nuk është fare në frymën e zbutjes së tensioneve në këtë pjesë të rajonit”, tha ai për SETimes.

Por, Forca e Sigurisë e Kosovës e Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë thanë se asnjë vend nuk duhet të ndihej i kërcënuar nga marrëveshja.

"Marrëveshja nuk paraqet ndonjë kërcënim për Serbinë apo ndonjë tjetër fqinj të Kosovës. Kjo marrëveshje është një rezultat i bashkëpunimit të mirë e të vazhdueshëm midis dy ministrive. Me siguri do të nënshkruajmë marrëveshje të tjera me vendet fqinje e miqësore, që do të hapin mundësi të reja për bashkëpunimin intensiv e tërësor midis vendeve në rajon e më tej, në forcimin e paqes e sigurisë së përgjithshme," tha për SETimes Ibrahim Shala, zëdhënës për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
(a.k/telegrafi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›