E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marrëveshje LSI-PSV’91

Tiranë -Lëvizja Socialiste për Integrim ka nënshkruar sot marrëveshjen për zgjedhje me Partinë Socialiste të Vërtetë ’91, që drejtohet nga z.Petro Koçi. “Firmosja e sotme është një garanci shumë e rëndësishme për fitoren e koalicionit tonë në zgjedhjet e ardhshme, për triumfin e zgjedhjeve progresiste dhe për garantimin e një qeverisjeje të majtë dhe progresiste pas 28 Qershorit. Qeverisja jonë, do të jetë në interes të qytetarëve shqiptarë dhe do të ketë në themelet e veta politika ekonomike dhe sidomos sociale, të cilat do të integrojnë shqiptarët në jetën sociale e ekonomike dhe jo t’i përjashtojnë ata”-theksoi kreu i LSI-së, Ilir Meta.

Sipas tij, në zgjedhjet e qershorit qeverisja do t’i kthehet qytetarëve dhe do t’i shërbejë atyre për t’i dhënë zgjidhje problemeve më të rëndësishme dhe më jetike, në luftën kundër varfërisë.

Petro Koçi e ka konsideruar këtë si një marrëveshje, që garanton qeverisjen e të majtëve pas zgjedhjeve të këtij viti. “Dua të denoncoj sondazhet e fabrikuara nga oligarkia në pushtet, nga oligarkia konsensuale e cila, ndoshta qysh nesër por, edhe me vonë, do të kërkojë të influencojë dhe tmerrojë opinionin publik me sondazhe të falsifikuara. Tashmë është e qartë që qytetarët e Republikës së Shqipërisë janë kundër oligarkisë së 21 Prillit, datë e cila i dha imunitet qeverisjes së keqe të këtij vendi, qeverisjes së sotme por, edhe të atyre që guxojnë të fotokopjojnë të njëjtin model për vitet e ardhshme”-theksoi Koçi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›