Papa Benedikti i 16-të: Shembull nga thjeshtësia e shqiptares Nënë Tereza
Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, Papa Benedikti i 16-të është lutur për gruan në të gjithë botën. Duke folur përpara 20 mijë besimtarëve në sheshin e “Shën Pjetrit” në Vatikan, Papa tha se shembulli i shqiptares së thjeshtë Nënë Tereza, është modeli për t’u ndjekur. “Në epokën tonë kemi parë Nënë Terezën e Kalkutës, një vajzë e thjeshtë nga Shqipëria e cila u bë me bekimin e Zotit një shembull për gjithë botën në shërbim të njerëzimit”, - tha Papa. “Po dhe sa shumë gra të tjera, - shtoi Papa, - punojnë çdo ditë në errësirë për të mirën e njerëzimit dhe për mbretërinë e Zotit? Sot unë lutem për të gjitha gratë”. Përpara besimtarëve të shumtë, Papa Benedikti i 16-të bëri thirrje për lutje dhe reflektim. Ai bëri të ditur se do të ndërmarrë një tur në Lindjen e Mesme dhe në Afrikë, për të përçuar mesazhin e paqes në të gjitha këto vende. Kreu shpirtëror i Vatikanit do të jetë në Lindjen e Mesme nga data 8 deri në 15 mars dhe më pas nga data 17 deri në 23 në Kamerun dhe Angola. Uniteti dhe paqja pritet të jetë mesazhi i Papës në udhëtimin e tij disa javor.