E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-ja, pa kandidat për Kaçanikun

Përderisa partitë tjera në Kosovë kanë emrat e kandidatëve të tyre për kryetar të Komunës së Kaçanikut, një gjë të tillë nuk e ka bërë Partia e Drejtësisë. Kryetari i saj, Ferid Agani ka bërë të ditur se, partia që ai udhëheq, për shkaqe të brendshme partiake, nuk do ta ketë kandidatin e saj në garën për të parin e Kaçanikut.

Agani, gjatë një interviste për Kosovapress, ka folur më gjerësisht për organizimin brenda partiak, duke thënë se arsyeja pse nuk kanë kandidat për Kaçanikun ka të bëjë me organizimin e brendshëm në këtë Komunë.

“Ne kemi vlerësuar në organet qendrore të Partisë se për momentin nuk është e arsyeshme që PD-ja të konkurrojë me kandidat për kryetar të Komunës së Kaçanikut, për shkaqe të brendshme partiake. Ju e dini se ne kemi pas kandidat për kryetar të Ferizajt, por kemi pas vlerësim tjetër, por në këtë rast ne nuk do të konkurrojmë për kryetar të Komunës së Kaçanikut, por do të përqendrohemi natyrisht në organizimin më të mirë të degës në Kaçanik sa më shpejt që është e mundur dhe brenda kësaj kohe”, ka thënë ai.

Agani ka pohuar se Partia e Drejtësisë, është në procesin e riorganizimit të brendshëm, duke eliminuar vështirësitë dhe problemet që paraqiten gjatë aktivitetit politik. Ai ka shtuar se PD-ja, në zgjedhjet e ardhshme do të jetë një parti me kredibilitet shumë më të lartë se sa ka qenë në zgjedhjet e kaluara.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale për kryetar të Komunës së Kaçanikut mbahen më datë 17 qershor 2012, pasi që ish kryetari i Kaçanikut, Xhabir Zharku, ishte dënuar me 3 vjet burg nga një panel i gjykatës së EULEX-it, në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, për veprën penale të detyrimit dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›