E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tadic, më i keq

Zgjedhja e Tomislav Nikolicit në krye të shtetit serb nuk do t’i ndryshojë shumë raportet Kosovë – Serbi, pasi kjo varet nga ndërkombëtarët. Analisti Azem Vllasi thotë se edhe nacionalisti autentik si Nikolic do të hyjë në bisedime me Prishtinën. Për dallim nga Tadici, sipas Vllasit, Presidenti i ri nuk do të mund t’i mashtrojë më europianët për Kosovën.

Azem Vllasi nuk ka shumë dilema rreth udhëheqësve politikë në Serbi dhe qasjen e tyre ndaj Kosovës.

Kur është fjala për Presidentin e sapozgjedhur, Tomislav Nikolic, Vllasi në një bisedë për Express, ka thënë se kreu i ri i shtetit serb është një nacionalist autentik serb.

Por sipas tij, ai është më pak i keq se sa ish- Presidenti Boris Tadic.

Sipas Vllasit, cilido lider tjetër, përpos të ashtuquajturit demokrat, Boris Tadic, do të ishte më pak i keq për Kosovën.

“Nuk e di nëse Nikolic apo kushdo tjetër do të jetë më i keq për Kosovën se Tadici. Besoj se tash do të ketë më pak mashtrime dhe kamuflazh, bile edhe Brukseli pati kërkuar që t’i bëhen disa favore Tadicit gjatë dialogut, por edhe ata e kanë parë që është e kotë”, ka thënë Vllasi.

“Sa u përket raporteve me Kosovën, unë vlerësoj se Nikolic nuk do të jetë më i keq se Tadici. Domethënë unë nuk do të jap vlerësim se a do të jetë më i mirë a jo se më të mirë s’ka, ama nuk do të jetë më i keq se Tadici, ngase ky vazhdonte një politikë të vjetër të Serbisë ndaj Kosovës, ama e mashtronte edhe Perëndimin, edhe Unionin Europian, domethënë Nikolici më pak ka mundësi që të kamuflohet dhe të merret me mashtrime ndaj çështjes së Kosovës”, ka shtuar ai.

Ndër të tjera, ardhjen e një radikali në krye të shtetit serb, Vllasi e sheh si një “heqje maske” të politikës serbe karshi autoriteteve ndërkombëtare, sa i përket çështjes së Kosovës.

“Do të jetë një politikë më e qartë, më pak e mjegulluar sesa në kohën kur ishte Tadic në krye të Serbisë. Mendoj se Kosova do të jetë temë e nxehtë për Nikolicin, pra që ky të merret me çështjen e Kosovës në kuptimin që t’i kthejë proceset më keq se që janë”, ka thënë analisti Vllasi.

Ai u shpreh i bindur se raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk do të mund të përkeqësohen me Nikolicin në postin presidencial.

Kjo për shkak se, sipas tij, dinamika e raporteve mes të dyja vendeve varet kryekëput nga politikat e shteteve perëndimore për to.

“Do të jetë ashtu si do të jetë politika e shteteve perëndimore ndaj kësaj çështjeje. Ka gjasa që njëfarë dialogu për përmirësimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojë”.

Çështja e vazhdimit apo jo të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, që po zhvillohej në Bruksel, ka nxitur ditëve të fundit debate të shumta. Përderisa autoritetet kosovare kërkojnë zbatimin e marrëveshjeve të dialogut të mëhershëm si kusht për diskutimin e vazhdimësisë eventuale të procesit për përmirësim raportesh, ato europiane kërkojnë me doemos vazhdimin e tij. E padefinuar ndërkaq mbetet ende çështja e gatishmërisë së Nikolicit për të vazhduar negociatat.

Pa kurrfarë dyshimesh për vazhdimin e tyre ndërkaq u shpreh analisti Vllasi.

Sipas tij, Brukseli do të arrijë të bindë kreun e ri serb për të vazhduar dialogun aty ku ka mbetur.

“Po, do t’i bindet se s’ka tjetër rrugëdalje, sepse Serbia me marrjen e statusit për anëtarësim n BE, veç ka hyrë në ata binarët e integrimeve evropiane, e jo për hatër të Kosovës, e as të Brukselit, por për nevojat e veta, interesat e veta, do të përdorë njëfarë politike të zbutjes së raporteve me Kosovën”, ka thënë Vllasi.

Mirëpo, ai ka mohuar mundësinë e një ndryshimi të madh në këto raporte. “Nuk do të ketë kurrfarë ndryshimesh esenciale”, ka thënë Vllasi.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›