Marrëveshje e njëanshme, Mal i Zi, nuk lejon kalimin e kufirit me kartë identiteti

Muriqan, pika kufitare Shqipëri - Mali i Zi
Në pikën e kalimit kufitar që lidh Shqipërinë me Malin e Zi, nuk mund të kalohet me kartë identiteti. Ministria e Punëve të Jashtme ka njoftuar se që prej datës 21 mars marrëveshja për kalimin me karta identiteti nga Shqipëria në Mal të Zi ka hyrë në fuqi dhe ka filluar nga zbatimi në të gjitha pikat kufitare me këtë vend. Por policia kufitare e shtetit fqinj nuk lejon kalimin me karta identiteti ndërsa në jo pak raste personat që nuk kanë qenë të pajisur me pasaporta biometrike janë kthyer pas.
Sipas tyre pasi kanë dëgjuar në media se në Mal të Zi kalohet me kartë pa patur nevojë për pasaportën biometrike janë nisur por pala malazeze nuk i ka lejuar.
Pala shqiptare nuk ka nxjerrë pengesa ndërsa ato të Malit të Zi nuk lejojnë kalimin pa pasaportë. Ka prej atyre që vijnë nga zona të largëta si nga Kukësi, Puka etj dhe kthehen prapa se nuk lejohen të kalojnë nga malazezët që shprehen se nuk kanë dijeni dhe as një urdhër të tillë, shprehen në pikën e kalimit kufitar të Muriqanit në Shkodër. Policia shqiptare ka marrë të gjitha masat e nevojshme që me datë 21 mars për kalimin e shtetasve shqiptare dhe malazezë me karta identiteti por kane hasur në reagimin e policisë malazeze që nuk lejon kalimin e asnjë personi me karta identiteti.
Kjo marrëveshje është nënshkruar në datën 14 dhjetor nga ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto dhe ministri i Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Milan Roçen. Marrëveshja është propozim i palës shqiptare, e cila gjatë presidencës së iniciativës rajonale MARRI, në vitin 2010, lançoi idenë e krijimit të një zone të lëvizjes së lirë ndërmjet vendeve anëtare, i quajtur ndryshe krijimi i një Shengeni Ballkanik. /A.Dushi/
* * *
Udhëtarët nga Republika e Shqipërisë mund të kalojnë tashmë drejt Malit të Zi pa nevojën e pasaportës. Lajmi u bë i ditur nga Ministria e Punëve të Jashtme e cila ka firmosur më datë 14 dhjetor të vitit të kaluar një marrëveshje ku parashikohet kalimi i kufirit me fqinjët vetëm me një kartë identiteti.
Marrëveshja e firmosur mes homologëve Edmond Haxhinasto dhe Milan Roçën ka hyrë në fuqi pak ditë më parë ndërsa është bërë në kuadër të lehtësimit të lëvizjes. Kjo erdhi pas propozimit të palës shqiptare në kuadër të së ashtuquajturit Shengen Ballkanik. /A.R/