Meta në SHBA, takohet me zyrtarin e DASH-it

Meta me senatoren Shaheen
Kreu i LSI-së Ilir Meta gjatë vizitës në SHBA është pritur nga Zv.ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA-së Filip Riker. Sipas njoftimit të servirur nga zyra e shtypit të LSI-së Meta dhe Riker kanë biseduar lidhur me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Sa i takon marrëdhënieve Shqipëri-SHBA nuk përmendet asnjë detaj.
Në njoftim thuhet se Meta është shprehur se Shqipëria ngadalësoi axhendën e saj integruese në dy vitet e fundit, në mënyrë të panevojshme, dhe se kjo duhet të shërbejë si një mësim për të ardhmen. Gjithashtu thuhet se u vlerësua kontributi që Shqipëria jep në mënyrë të vazhdueshme në shërbim të fqinjësisë së mirë dhe integrimit rajonal.
Gjatë qëndrimit në SHBA, Meta është takuar gjithashtu dhe me senatoren e Jeanne Shaheen, Kryetare e Nën-Komisionit për Çështjet Evropiane si dhe anëtare e Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë.
Kreu i LSI-së ndodhet në SHBA për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik të Evropës Juglindore që zhvillohet në John Hopkins University.
Vizita e Metës në Uashington vjen pas asaj të kreut të Partisë Socialiste Edi Rama dhe kryetarit të Bashkisë Lulzim Basha. Në të tre rastet, politikanët shqiptarë e kanë servirur takimin me Riker si mbështetje të SHBA-së. /F.S/