E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marreveshje me BE-ne per menaxhimin e krizave

Shqipëria ka nënshkruar me Bashkimin Europian marrëveshjen për pjesëmarrjen në misionet e BE-së për menaxhimin e krizave. Përveç prezencës në operacionet civile të Bashkimit Europian si ai i Bosnjës apo Cad, kjo marrëveshje, do ti lejojë Shqipërisë të marrë gjithashtu pjesë në operacionet ushtarake të BE-së. Marrëveshja konsiderohet si një hap i mëtejshëm në forcimin e fushës së sigurisë midis Shqipërisë dhe BE-së, siç e cilëson edhe drejtori i përgjithshëm i aksionit të jashtëm të BE-së, Pierre Vimont.

“Me këtë marrëveshje kornizë bëhet e mundur që Shqipëria të marrë pjesë në operacionet e ardhshme ushtarake apo misione civile të Bashkimit Europian. Kjo përbën përfundimisht një hap përpara për një bashkëpunim më të strukturuar në fushën e sigurisë midis BE-së dhe Shqipërisë. Kjo do të mundësojë një përfshirje të shpejtë të Shqipërisë në operacionet e menaxhimit të krizave”-deklaroi Vimont

Bashkimi Europian vlerëson veçanërisht rolin e Shqipërisë në rajon. Drejtori i përgjitshhëm i aksionit të jashtëm të BE-së, Pierre Vimont shprehet se: "Ne e kemi vlerësuar rolin e Shqipërisë në rajonin e Ballkanit në të shkuarën dhe vazhdojmë ta bëjmë këtë. Zhvillimet në rajonin e Ballkanit por edhe në të gjithë botën kërkojnë më shumë se kurrë që Bashkimi Europian të bashkëpunojë më ngushtë me partnerët e saj si Shqipëria në misionet e sigurisë dhe të politikës së jashtme të BE-së".
Marrëveshja e nënshkruar për menaxhimin e krizave do të bëjë të mundur që Shqipëria të aktivizohet së bashku me shtetet anëtare të Bashkimit Europian për menaxhimin e krizave në pjesë të ndryshme të globit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›