E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marrëveshje me Francën për lëvizjen e të rinjve

SHKRUAN: Jonida Tashi 03-03-2011 12:06

Miratohet marrëveshja me Francën për lëvizjen e të rinjve shqiptarë në këtë vend. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave u miratua edhe vendimi “Për marrëveshjen dypalëshe mes qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Franceze lidhur me qarkullimin e të rinjve”. Projektvendimi i propozuar nga Ministria e Punës për miratimin e marrëveshjes, synon të rrisë mundësitë që të rinjtë e të dy shteteve të vlerësojnë kulturën dhe mënyrën e jetesës në secilin vend me anë të aktiviteteve të ndryshme: studime, stazhe ose punësim. Kjo marrëveshje do të krijojë mundësi dhe lehtësira për të rinjtë shqiptarë që të kenë eksperienca profesionale dhe punësimi në Francë dhe anasjelltas. Marrëveshja ka në fokus studentët, praktikantët dhe profesionistët e rinj. Për studentët, projektmarrëveshja lehtëson qëndrimin dhe punësimin në Francë të shtetasve shqiptarë që kanë një diplomë master ose licencë profesionale të cilat njihen nga autoritetet franceze. Gjithashtu, ajo krijon mundësinë për studentët shqiptarë në Shqipëri të ndjekin një praktikë mësimore në Francë, për të punësuarit shqiptarë në ndërmarrje franceze në RSH ose ndërmarrje shqiptare partnere të ndërmarrjeve franceze të ndjekin një praktikë profesionale në Francë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›